Të ftuara në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio kanë qenë Erta Maria, Laura dhe Dea, tre motrat që përbëjnë grupin muzikor të vajzave, Threex. Ato kanë publikuar së fundmi projektin e tyre të fundit “Trouble” që rezultoi në një sukses. Vajzat na kanë folur më shumë për pasionin e tyre për muzikën, por dhe për projektet e ardhshme…

Ditët e sotme nuk ka grupe vajzash në Shqipëri, si ndiheni për këtë duke qenë të vetmet?

Ne ndihemi shumë të privilegjuara që jemi si grup sepse nuk ka shumë të tillë. Gjithsesi do të donim që të kishte më shumë. Ndoshta me daljen tonë mund të inspirohen dhe të tjerë. Për ne është shumë qejf, por ka dhe shumë punë nga mbrapa.

Si e shikoni veten në raport me tregun?

Vështirësi do të ketë. Ne e shohim veten unike në treg, ky është një avantazh. Ka qenë Eneda Tarifa që e kishte idenë që ne të bëheshim një grup e të bashkoheshim. Pas asaj ideje e zbatuam menjëherë dhe ishte shumë e suksesshme.

Pse keni vendosur që të jeni pak më të tërhequra në daljet tuaja?

Kemi zgjedhur që të ecim me hapa më të sigurtë dhe duam që tek publiku të sjellim projekte më të mira. Ne u tërhoqëm një vit për të punuar në studio material që do të dalin shumë shpejt. Një ndër to ishte dhe “Trouble”. Planifikojmë që të jemi më aktive. Dhe kjo tërheqja ishte për shkak të kësaj, për të krijuar më shumë. Ne nuk kemi një ‘target group’, kushdo që e pëlqen muzikën tonë dhe kushdo që e gjen veten mund ta dëgjojë.

Muzikën e shihni si një passion, apo doni që ta kultivoni edhe më tej?

Të dyja. E shohim si një pasion, si një ëndërr që e kemi patur që të vogla dhe duam që pse jo ta zhvillojmë më tepër dhe të ndërtojmë një karrierë.

Cilat janë të mirat dhe të këqija e një grupi?

E mira është sepse të paktën ne që jemi motra, bashkëpunojmë shumë, jemi gjithë kohës bashkë. Ndërsa anë të këqija ka sepse ndodhin debate kur nuk biem dakord me njëra-tjetrën. Kjo është pjesa e vështirë. Pjesa tjetër pastaj është punë, qejf dhe pasion.