I ftuar nëpërmjet një lidhje me Skype për emisionin “Lancio”, ka qenë artisti Adion. Jo vetëm një reper i talentuar, por dhe gjithashtu dhe një producent i suksesshëm, Adion foli më shumë që nga fillimet e karrierës së tij, e deri tek bashkëpunimet me disa nga emrat më në zë të muzikës…
Shijon më shumë skenën apo prapaskenën?
Skenën, ndoshta. Kur kam qenë në një moshë më të re, nuk është se e kam dashur shumë skenën. Për këtë arsye kam filluar të bëjë një punë tjetër muzike, pa dalë të këndoj unë vetë. Arsyeja pse i kam hyrë kompozimeve është sepse nuk kam pasur qejf të shkoja vetë në skenë dhe doja të bëja diçka tjetër, kam shkruar tekste për dikë tjetër, kam bërë beat, kam punuar në studio. Pastaj kur jam rritur pak më shumë, m’u mbush mendja dhe thashë pse jo, të dal në skenë.
Nëse mundesh të bësh çdo gjë vetë, e ke pak më të lehtë. Nëse nuk di ta bësh një punë, duhet t’i thuash një shoku tjetër, a të kupton apo jo, a mundet të përshtatet me atë që ke menduar ti. Kështu që më mirë vetë të gjitha.
Si i kujton fillimet e karrierës tënde?
Kam qenë 7 vjeç, kam qenë shumë i ri kur kam filluar muzikë. Në moshën 10-vjeçare kam nxjerrë një këngë në YouTube. Pastaj kam hapur një studio me një shok, i cili edhe ai tani këndon. Ai më mbushi mendjen që të dal në skenë.
A bën kompromise me artin tënd?
Jo, unë bëj çfarë më vjen, nuk shkruaj gjëra që nuk më pëlqejnë. Fakti që unë bëj zhanre të tjerë dhe për njerëz të tjerë, e kam pasur më të lehtë që të ndërroj zhaner.
Sa të lehtë apo të vështirë e ke pasur ti që të rrisësh shkallët e suksesit dhe sa të vështirë e ka këtë një artist i ri?
E vështirë është shumë. Është një nga gjërat më të vështira që mund të arrijë dikush, sidomos në moshën time. Unë e kam nisur zyrtarisht në 2020. Deri tani në 2025 e kam pasur të lehtë sepse nuk ka shumë që bëjnë muzikën që bëj unë. Kur kam ardhur në Prishtinë hapëm studion vjet në shkurt dhe filluan të vijnë njerëz që kanë famë. E kanë parë punën që kam bërë unë dhe nuk më kanë ndërruar më.
Ti ke bërë dy bashkëpunime së fundmi, “Papi Calma” me Oriola Marashi dhe “Kush o ktu?” me Ledri Vula, MC Kresha dhe Lumi B. Kush është i preferuari yt?
Kjo kënga e fundit është bërë me njerëz që kam qenë fans i tyre. Jam rritur duke i dëgjuar ata të tre që janë në këngë. Është diçka e madhe për dikë në moshën time që të bësh këngë me njerëz të tillë.