Ashtu siç mund ta keni vënë re dhe ju, këtë vit kanë mbizotëruar bashkëpunimet muzikore. Ato kanë qenë të shumta, aq sa fare mirë mund ta quajmë 2022 si ‘vitin e bashkëpunimeve’.
Menduam se kjo do të ishte më tipike për sezonin e verës, duke qenë se artistët janë më të prirur për të bashkuar forcat me njëri-tjetrin për të sjellë hite. Por tashmë që verën e kemi lënë pas, edhe vjeshta dhe dimri kishin pak a shumë të njëjtën tendencë.
Madje javët e fundit në “The Top List”, kreun e kanë rrëmbyer më së shumti bashkëpunime. Për të dytën javë radhazi, në vend të parë qëndron bashkëpunimi i Dhurata Dorës dhe Elvana Gjatës, “Gajde”.
Disa projekte kanë hyrë dhe disa të tjera kanë dalë duke rezultuar si më pak të votuara nga publiku. Këto ndryshime reflektohen menjëherë në klasifikim, duke e bërë renditjen fleksibël nga java në javë.
Por cilat janë më mbizotëruese në listën e Top Awards momentalisht? Nëse hedhim një vështrim për të bërë një krahasim, do të vëmë re se aktualisht kemi 42 projekte bashkëpunime dhe 58 janë projekte solo.