Bana Zahiti ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ku përmes kësaj interviste me moderatorët Erma Mici dhe David Prifti ndau rrëfimin e saj artistik dhe rrugëtimin e veçantë muzikor.

Duke qenë se Bana po e zhvillon karrierën e saj jashtë kufinjve, a ndjen ajo një lloj përgjegjësie për të përfaqësuar diasporën?

Edhe mua më duket si një lloj aktivizmi. Qëllimi im është të marr muzikën shqip dhe ta nxjerr në vende ku nuk ka qenë më parë. Domethënë ta nxjerr në një kontekst më të ri. Kam qejf të reflektoj realitetin e diasporës sepse ma merr mendja që në Kosovë e Shqipëri nuk ka shumë ndjenjë se çfarë po përjetojnë fëmijët e diasporës. Ka shumë nuanca që nuk janë zbuluar ende këtu. Atë dua të zbuloj këtu dhe t’ja u jap në përfaqësim këtu.

Cili është qëllimi i kësaj lëvizje? Çfarë mesazhi ka ajo për të rinjtë e diasporës?

Të largohen prej frikës dhe të sillen të jenë dikush që nuk janë. Atje rritemi më strikt. Prindërit janë më të kujdesshëm se nuk është vendi i tyre. Është vendi jonë në fakt se ne atje kemi rritur, por ngarkohemi e bllokohemi nga pak dhe dua që t’ja jap atë guximin. Të guxojnë të jenë vetvetja, të zbulojnë kush janë dhe të mos kenë frikë.

Së fundmi, ajo ka publikuar projektin e saj të ri “Raki Rrushi”, e cila është bërë pjesë gjithashtu e “The Top List”. Çfarë përfaqëson kjo këngë për të?

“Raki Rrushi” është një këngë që e kam shkruajtur për të provuar të gjej një tjetër imazh për një ndjenjë që është shumë universale, kur nuk mundesh të ikësh nga një njeri, kur ke një varësi. Ne në tregun shqiptar flasim shumë për dashurinë. Çdo këngë është për dashurinë dhe narrativi është i njëjtë. Unë jam munduar të gjej një tjetër imazh, një tjetër fjalim për të artikuluar atë ndjenjë aq të fortë kur të mungon një njeri që nuk e ke njohur për aq gjatë.