Këngëtarja e mirënjohur Aurela Gaçe ka ardhur me një baladë të re që ka arritur të na prekë ‘telat e zemrës’. “Si jetoj” mban titullin projekti i saj i ri që i bashkohet kësaj jave klasifikimit të “The Top List”. Kjo këngë, ashtu siç thotë dhe ajo, e ka sjellë Aurelën në një frymë tjetër nga sa jemi mësuar ta shohim, këtë herë pa bërtitur…

Materiali i saj më i fundit “Si jetoj”, si dhe këngët që ajo ka publikuar gjatë këtij 2-3 vjeçari, të përmbledhura së bashku, formojnë dopio albumin e saj unik. “Unike…Me taban” është padyshim një nga sukseset e saj të shumta gjatë karrierës së gjatë artistike.

Kjo këngë e veshur sipas personalitetit dhe karakterit të zërit të saj, arriti të kapte magjinë e realizimit, duke lindur teksa po luhej rastësisht në piano dhe një pune prej katër vitesh, e cila u përfundua me xhirimin e klipit. Dhe duket se “Si jetoj” është pritur mjaft mirë nga publiku.

Edhe pse një hyrje e re për javën, Aurela me projektin e saj është pozicionuar në vend të pestë të klasifikimit. Me interpretimin e saj të shkëlqyer dhe zërin potent që të rrëqeth gjithmonë, nuk mund të prisnim më pak se vetëm më të mirën për “Si jetoj”, që duhet thënë se nuk na zhgënjeu aspak.