E ftuar ditën e sotme në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë Aurela Gaçe. Artistja e mirënjohur ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me show-n më të ri që do të vijë në ekranin e Top Channel “AG Show” dhe gjithashtu ka zbuluar ekskluzivisht për Top Albania Radio 2 projekte të reja surprizë.

Shumë shpejt, ndoshta në fund të shkurtit do të fillojë. “AG Show” është një lloj formati me të cilin unë kam disa vite që paraqitem para publikut në ‘live’-t, koncertet dhe shfaqjet e mia. Në këtë rast do të ketë diçka më shumë se sa thjesht muzikë. Është një format që nuk shpjegohet me fjalë por duhet parë. Duhet shijuar. 

Artistja tregoi se ajo do të jetë prezantuesja e show-t dhe shtoi më tej se:

Tani më njerëzit e kanë parasysh që Aurela jo vetëm këndon. Unë jam shfaqur në publik qysh në rininë time të hershme. Jam shfaqur jo vetëm si këngëtare, e kam ngacmuar edhe pak aktoren dhe moderatoren. Kush më ka parë live në programet që unë bëj e dinë shumë mirë që unë jo vetëm këndoj, por edhe ngacmoj edhe aktroj, bëj humor edhe më pëlqen të mos e mbyll veten time në një kuadrat. E kam shfaqur këtë gjë nga pak. Në Top Channel gjeta derën e duhur për ta shpërfaqur veten më së gjëri për të gjithë publikun jo vetëm për ata që ndjekin ‘live’-t dhe koncertet e mia. Do të ketë publik. Pa njerëzit nuk quhet më dashuri. Unë sa herë dal në publik e imagjoj sikur jam duke bërë dashuri me njeriun që dua. Sigurisht që ashtu është. 

Aurela zbuloi më tepër:

Projekti më i ri sapo ka filluar me grupin për xhirimin e një filmi komedi. Unë nuk e nisa kot 50-vjetorin kështu, mendoni ju se mbushi njeriu 50 vjeç dhe pastaj heq dorë nga ëndrrat e jetës? Janë etapa të ndryshme të jetës, unë këtë e kam pasur gjithmonë ëndërr në sirtar. Për shembull që të jem moderatore në një show timin, kam rreth 15 vite që e mbaj në sirtarin e zemrës sime. Këtë e zbulova tani, kam vite që e pjek me veten time dhe tani erdhi momenti që edhe unë ndihem më e pjekur dhe që kam çfarë të jap dhe që jam gati të lë veten time në shumë dimensione. Ka një arsye se përse disa gjëra nuk bëhen më përpara. 

Unë kam mbaruar shkollën për aktore, por filmi dhe teatri do një angazhim dhe duke e ditur këtë i jam trembur angazhimeve të tilla. Duhet të jesh mirë me kohën tënde fizike. Këtë vit thashë që do ta nis mirë. Po xhirojmë, shpresoj që t’ia vlejë.

Sa i përket aktrimit dhe filmave Aurela u shpreh se cilin prej roleve ajo nuk do të arrinte ta realizonte deri në fund siç duhet.

Nëse do ta mendoja veten në rolin e një vazje të brishtë që e marrin nëpër këmbë dhe që i japin urdhra atë nuk e luaj dot. Nuk ma lejon portreti, nuk e luaj dot deri në fund.