Në një bashkëpunim që u nis brenda mureve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Arta Kabashi dhe Romeo Veshaj, kanë sjellë për publikun një projekt të ri muzikor. Kënga, e cila titullohet “Falëm”, ka marrë jetë brenda shtëpisë së “Big Brother VIP 3” dhe tashmë është publikuar për të gjithë adhuruesit e muzikës.

Ky projekt madje është renditur në vend të dytë të listës për këtë javë. Kjo këngë e re ka shënuar një kapitull të ri për dy artistët që kanë kaluar një kohë së bashku në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”.

Ky projekt muzikor pritet të tërheqë vëmendjen e fansave të dy artistëve dhe gjithashtu të atyre që kanë ndjekur me interes zhvillimet e “BBVA”. Në videoklip, pamjet e Arta Kabashit pas mikrofonit janë të ngjashme me ato emocione të forta që ajo përcillte teksa këndonte brenda mureve të shtëpisë.

Kjo është kënga e dytë e artistes që vjen në klasifikimin e “The Top List” brenda një periudhe të shkurtër kohore. Bashkëpunimi i saj me Anso, “Inshallah” e risolli atë pas një periudhe shumë të gjatë në listë.