E ftuar në “Live From Tirana”, ka qenë Aroilda, një artiste e re dhe e talentuar e tregut. Ajo ka publikuar këngën e saj më të re, “Akoma pres”, e cila është tashmë pjesë e “The Top List”. Aroilda ka folur më shumë për këtë projekt, por dhe për hapat e saj të ardhshëm në muzikë…

Çfarë të ka shtyrë të bësh muzikë?

Jam rritur duke parë Top fest, e kam ëndërruar që të jem pjesë, por pastaj Top Fest nuk u bë më. Unë muzikën e bëj më shumë për pasion, por është edhe punë, sepse unë kam një band timen që këndojmë muzikë live, por më shumë është pasion. Unë marr frymë me muzikën, nuk e konceptoj dot veten time pa luajtur muzikë, pa kënduar, pa prodhuar muzikë. Unë dhe një këngë kur e dëgjoj, nuk e dëgjoj vetëm për ta shijuar, shikoj notat, shikoj se si do të ishte nëse unë do e performoja live, e shikoj më ndryshe. Profesionalisht që unë kam filluar të këndoj libe, u bënë 6-7 vite, ndërsa që studioj u bë diku tek 10 vite. Nuk kam mbaruar për kanto, por për financë marketing, por kanton e kam ndjekur privatisht me kurse.

Çfarë ‘pret akoma’ Aroilda?

Unë pres që kënga të ecë dhe të vazhdojë të ketë sukses. Teksti dhe kënga është bërë nga Irkenc Hyka, jo nga unë. Kështu që e kam një përgjigje të thjeshtë për këtë (qesh).

Çfarë komentesh ke marrë?

Unë në përgjithësi përpiqem të marr komente nga njerëz të afërt, duke qenë se ua kërkoj një koment real, edhe kritika që të përmirësohem. Kënga është pritur shumë mirë, unë e kam kënduar edhe live dhe kam dashur të marr impaktin. Refreni është shumë i thjeshtë dhe e kanë kënduar me mua.

Cilat janë ambiciet e tua në muzikë?

Dua të bëj muzikë të mirë, këtu përfshij edhe muzikë komerciale. Dua të bëj muzikë të mirë, që kur të rikthehem pas disa vitesh, të mund të them që kam bërë një punë të mirë.  Të gjithë synojmë ato koncertet e mëdha, të mos mbetemi vetëm brenda vendit. Por unë po punoj shumë dhe uroj që të shpërblehem.

Do ta shihje si alternativë hyrjen në kompeticione si BBV për të fituar më shumë famë dhe njohje?

Pse jo, e kam menduar dhe do të më pëlqente. Jo për famën, sa për eksperiencën. Por sigurisht edhe fama që të jep dhe vizibileteti. Nëse ti ke diçka për të ofruar në muzikë, siç unë mendoj se kam, është një strategji shumë e mirë.

Cilët janë artistët e tu të preferuar?

Jam rritur me këngët e Elvana Gjatës, Flori Mumajesi, Alban Skënderaj, më ka frymëzuar muzika e tyre. Kam kërkuar disa herë një duet me Flor Mumajesin, do e kisha shumë dëshirë. Do përpiqem, nuk i dihet…