“Kalle Llamën” është projekti muzikor, i cili e bëri tepër të famshme këngëtaren Fatime Kosumi, e njohur në tregun muzikor si Andrra.
Këngëtarja me origjinë nga Kosova, por e lindur dhe rritur në Gjermani, ka sjellë një stil ndryshe sa i përket muzikës së momentit. Andrra ka vendosur të vijë me një album, i cili do të përmbajë 5 këngë të ardhura në një qasje të veçantë të muzikës folklorike.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Fatime ka treguar se albumi i titulluar “Palinë”, përmban 5 këngë të rajoneve të ndryshme shqiptare që kanë për temë dhënien e Palinës. Që në momentin që Palina e kupton që e kanë fejuar dhe deri në momentin që mbërrin tek burri. Gjithë kjo tregohet përmes këtyre 5 këngëve. 5 këngë nga 5 troje shqiptare që i dedikohen Palinës.
Pas “Kalle Llamën”, e cila është një këngë lamtumire që i këndohet nuses një natë para dasmës, artistja ka publikuar një tjetër perlë të titulluar “Palinë”.
Andrra ka sqaruar për Top Awards se “Palinë” është një tekst të cilin e ka gjetur në një libër të Anton Çetës, i cili ka qënë një koleksionues i teksteve të ndryshme të folklorit. Ky tekst është gjetur në Ulqin të Malit të Zi dhe trajton të njëjtën temë si edhe “Kalle Llamën”. “Palinë” tregon se si i këndohej nuses në Ulqin një natë apo disa ditë para dasmës.
“Palinë” që në javën e parë të publikimit është futur menjëherë në listë duke u pozicionuar në vendin e 6-të ndërsa “Kalle Llamën” këtë javë renditet në vendin e 21-të.