Prej më shumë se dy muaj, “The Voice of Albania 6” ka nisur rrugëtimin e tij për të gjetur zërin më të mirë të shqiptarëve. Nga java në javë, publiku ka vënë re konkurrentët teksa këndojnë, tregojnë për veten, mësojnë e këmbejnë përvoja, duke “piketuar” të preferuarin e tyre.

Pas  3 javësh “Beteja”, gara do të vazhdojë të premten me një tjetër fazë, atë të “Super Betejave”, një formulë që për herë të parë do të funksionojë në “The Voice”, duke dhuruar fitues të tjerë por do ketë edhe nga ata që do të skualifikohen.

Faza që do të pasojë “Super Betejat”, do të jenë netët “live” në të cilat pritet të dhurohet një spektakël i vërtetë. Puna për këtë fazë emocionuese ka filluar, ku deri tani janë konfirmuar dy artistët e parë që do të performojnë në netët “live”. Bëhet fjalë për Andrra-n, emri i vërtetë i të cilës është Fatime Kosumi si edhe Shpat Dedën, i cili është tashmë një talent i afirmuar i skenës shqiptare.

Andrra, këngëtarja e lindur në Gjermani por me origjinë nga Kosova, është pjesë e klasifikimit të “The Top List” prej 12 javësh. Projekti i saj me titull “Kalle Llamën”, ka tërhequr vëmendjen e publikut, ku falë stilit dhe historisë që kjo këngë përcjell, ka kryesuar për dy javë rresht Top Listën. Për këtë javë, projekti i saj renditet në vendin e 7-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm.

Sa i përket Shpat Dedës, ai ka rreth 2 muaj që është rikthyer në tregun muzikor me një projekt të veçantë, i cili është një dedikim për gjyshen e artistit që nuk jeton më. Kënga mban titullin “Ninullë” dhe ka 8 javë që është në “The Top List”. Për këtë javë ajo qëndron në vendin e 9-të.

Nisur nga talenti i dy artistëve, të cilët janë larg të bërit muzikë komerciale, fillimi i netëve “live”, do të jetë një mbrëmje që nuk duhet humbur.