Pas rikthimit të tij në listë pas një periudhe disi të gjatë, Andi Dhoska nuk ka ndërmend të ndalet me projektet e reja. Thënë kjo, ai i bashkohet sërish klasifikimit të kësaj jave me “Vetmia”.
Një projekt pak më ndryshe se paraardhësi i tij, por i ndjerë dhe me mesazh. Nëse “Pump up the Jam” na bëri që të kërcenim, “Vetmia” do të na çojë në një gjendje komplet tjetër.
Projekti i ri i Andi Dhoska shfaqet si një reflektim i brendshëm, një udhëtim emocional përtej fjalëve të zakonshme të dashurisë dhe humbjes.
Është këngë që dëgjohet jo vetëm me veshë, por edhe me zemër dhe me ato fragmente të shpirtit që shpesh nuk kërkojnë tinguj të zhurmshëm për t’u ndjerë. “Vetmia” nuk është vetëm një titull, është një gjendje që artisti e trajton me sinqeritet të thellë.