Edhe pse ende pa një videoklip dhe e pa lançuar në “Youtube”, “Reckless” e Ana Bakaj ka mundur t’i rezistojë për një kohë të gjatë klasifikimit të “The Top List”!
Prej 14 javësh projekti i parë i ish-konkurrentes së “The Voice of Albania 5” qëndron në listën më të rëndësishme të muzikës moderne shqiptare, duke marrë vota maksimale nga publiku gjatë kësaj jave.
Falë interesit të fansave të saj, Ana Bakaj këtë javë ka mundur të ngjitet me 32 pozicione, duke u renditur në vendin e 15-të të listës zyrtare të “Top Awards”. Ndërkohë që ende nuk ka një njoftim nga ana e shtëpisë diskografike “360M Records” për ndonjë klip shoqërues të kësaj kënge, fansat kanë mundur ta dëgjojnë këtë projekt muzikor në platforma të ndryshme dixhitale ku ajo është lançuar.
Duket se këngëtarja më e re e muzikës moderne shqiptare momentalisht po “teston” fansat e saj, të cilët po bëjnë të pamundurën për të dëgjuar dhe votuar “Reckless”!
Vlen për t’u theksuar fakti se Ana Bakaj ka kryesuar “The Top List” me këtë projekt muzikor që në javën e dytë të publikimit.