Ato janë tashmë një dyshe mjaft e njohur për të gjithë publikun shqiptar dhe bëhet fjalë për dy violinistet e talentuara, Albana Leka dhe Ines Memisharaj. Të njohura ndryshe si violinistet e Top Channel, dyshja më në fund ka vendosur që të gjithë eksperincën e këtyre viteve ta finalizojë në një projekt të titulluar “Feeling”.

Albana dhe Ines kanë vendosur që për këtë instrumental të bashkojnë fuqitë me Alband, një grup me të cilin punojnë prej vitesh. I shoqëruar me një klip që i përshtatet më së miri ndjenjave të kësaj kënge, “Feeling” është sugjeruar dhe është bërë pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards” këtë javë.

Të kontaktuara nga Top Awards, dy mikeshat dhe koleget kanë zbuluar më shumë për këtë projekt, i cili është realizuar në periudhën e karantinës.

TA: Prej sa vitesh Albana dhe Ines janë mikesha?

Albana & Ines: Ne jemi mikesha prej 20 vitesh ndërsa si bashkëpunëtore prej 10 vitesh.

TA: “Feeling” është projekti juaj i parë pas kaq kohësh në ekran dhe në aktivitete të shumta muzikore, pse pikërisht tani? E kujt ishte si ide?

Ines: “Feeling” është projekti ynë i parë pas kaq shumë vitesh pasi tashmë ishte koha e duhur dhe një pjekuri muzikore për të bërë dicka krejtësisht tonën dhe jo të huazuar por të kuruar deri në detaje nga instrumentisti dhe miku ynë Ervis Caushi, i cili është kompozitori i këtij projekti. Për këtë projekt na është bashkuar edhe Alband, me talentin e tyre me të cilët jemi miq dhe kolegë prej disa vitesh.

Albana: Sa i përket idesë, ajo ishte e të treve ne, e imja, e Inës dhe e Ervisit.

TA: Sa kohë ju është dashur ta përfundoni si projekt?

Albana: Me thënë të drejtën na është dashur pak kohë sepse mendoj që një projekt i realizuar mirë do të piqet në kohë.

Ines: Gjërat e mira bëhen avash-avash. (buzeqesh)

TA: Me cilët keni bashkëpunuar për të realizuar “Feeling”?

Ines: Bashkëpunëtorët tanë janë: Ervis Caushi (Piano), Shkëlqim Dule (Kitare), Franc Fjerca (Bass), Besian Xhemnica (Bateri), pa harruar dy balerinët Luixhino Hala dhe Erisa Govaci.

Albana: Dua të shtoj që për realizimin e klipit është bërë një punë e mrekullueshme nga “Arvisual Studio”, pa të cilët nuk do ia kishim dalë.

TA: Klipi është përshtatur aq bukur me instrumentalen, e kujt ka qënë ideja?

Albana: Sigurisht që një kompozitor kur krijon një pjesë e ka menduar se cili instrument i përshtatet.

Ines: Klipi doli kaq i bukur pasi përvec punës së kuruar në detaje nga “Arvisual Sudio”, është edhe fakti që ne të gjithë dhamë “feeling” tonë. (Buzeqesh)

TA: Në mes të gjithë kësaj muzikë komerciale,”Feeling” bën diferencën, si është pritur dhe komentuar nga publiku?

Albana: Kur hodhëm idenë për të realizuar instrumentalen dhe realizuar klipin, sigurisht që u nisëm për të prodhuar dicka që nuk ka lidhje me komercialen por të jetë një pjesë ku të mbizotërojë profesionalizmi dhe më thënë të drejtën bën diferencën nga të gjitha anët.

Ines: Më vjen mirë që në një treg kaq komercialë ka edhe artistë që mendojnë të sjellin dicka ndryshe edhe pse e dimë që klikimet nuk do jenë njësoj. Publiku e ka bërë diferencën dhe fjalitë më të komentuara janë: Profesionalizëm dhe muzikë e vërtetë në cdo detaj.

TA: Cdo të thotë për ju të gjendeni në një klasifikim, ku mbizotëron muzika rap, pop etj?

Albana: Eshtë një ndjesi fantastike dhe këtë po e lidh me pyetjen mësipër që komercialen e kemi lënë pas. Kur dicka është profesionale në cdo kuptim, me të gjitha komponentët, vlerësohet.

Ines: Mua më vjen mirë që gjendemi në një klasfikim me rryma të tjera. Kompeticioni është gjithmonë ai që sjell vlerësim dhe rrit dëshirën për të bërë art. Muzika është gjithëpërfshirëse dhe pse jo, të jetë e bukur.

TA: Keni plane për të prodhuar muzikë të re në të ardhmen?

Albana: Sigurisht që mendojmë ta vazhdojmë këtë rrugë që nisëm edhe në të ardhmen por gjithmonë profesionalizëm.

Ines: Ne fakt unë po zbuloj dicka më shumë. Jemi duke punuar aktualisht për një projekt tjetër, i cili shpresojmë të dalë sa më shpejt.

TA: Një mesazh për të gjithë ata që e kanë përqafuar këtë projekt?

Albana: Vazhdoni të dëgjoni muzikë të bukur, të realizuar dhe vazhdoj ta cilësoj, profesionale.

Ines: Uroj që ky ë ketë qënë një “feeling” i vërtetë për të gjithë ju që na mbështesni dhe na vlerësini. Shijojeni ashtu sic janë hedhur notat, shpirti dhe fotografia në këtë klip.