“A Live Night” erdhi edhe këtë të shtunë me një nga artistët padyshim më të dashur të publikut. Jo vetëm për muzikën dhe artin e mirë që sjell, por Alban Skënderaj ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca të të gjitha moshave prej vitesh. Këngëtarin dhe producentin e kemi parë shumë rrallë në dalje televizive apo intervista, ndaj kjo e “A Live Night” ka rrëfime shumë speciale dhe të padëgjuara më parë nga artisti.
Fillimisht, intervista e Albanit nisi me fëmijërinë e tij, prezantimin e familjes dhe marrëdhënien që ka me ta, duke ndarë me ne disa detaje shumë interesante.
Unë i përkas atyre njerëzve që kanë shumë dëshirë ta kthejnë kokën mbrapa dhe të ndihen mirë për gjërat që kanë lënë pas, unë kështu jam . Jetoj të tashmen, por jetoj shumë dhe të shkuarën dhe të ardhmen, vazhdimisht udhëtoj mes të shkuarës dhe të ardhmes, kështu që prandaj kam shumë përgjegjësi çfarë bëj sot, sepse e di që do ta përjetoj sërish në një ditë në të ardhmen. Fëmijëria ime ka qenë fëmijëri shumë e zakonshme e viteve ’80-’90. Kanë qenë vitet më të vështira për Shqipërinë. Nuk mbaj mend fëmijë të ketë qenë në kushte super të mira, të gjithë përshtateshin. Mbaj mend që dëshira për të luajtur ishte e madhe, por lodrat ishin pak. E kujtoj si një fëmijëri të bukur në kuptimin e kreativitetit, sepse i jepte mundësinë fëmijëve të sajoheshin. Për vitet ’80 shumë e bukur, për vitet ’90 e bukur, por edhe e trazuar, shumë e vështirë. Kan qenë shumë të vështira dhe të duhej të ishe fëmijë, por dhe i rritur. Babi ka qenë ushtarak, ka qenë burrë shpirtëror, shumë i dhënë pas letërsisë, por jeta, puna e solli që të jetë një oficer. Kjo te ne ka sjellë faktin që duhet të lëviznim shpesh. Ne jemi formuar si familje në Vlorë, dy vëllezërit e mi janë lindur në Vlorë, dy të mëdhenjtë. Unë kam lindur në Lushnje, ku jetuam disa vite dhe kam kujtime shumë të bukura nga ai qytet dhe pastaj u rikthyem në Vlorë ku lindi vëllai im më i vogël. Pastaj u spostuam në Itali. Jeta jonë nuk ka qenë më shumë se 7-8 vite në një vend do thoja unë. Marrëdhëniet me vëllezërit janë shumë të mira dhe është fat i madh që ne jemi shumë të ngjashëm. Nuk jemi pak fëmijë, por fatmirësisht si natyra jemi të ngjashme në të mirat dhe po them në ato problematikat tona. Jemi të ndjeshëm, jemi të arsyeshëm, jemi tolerant, sa jemi dhe pak solitar si natyra. Nuk jemi si ata vëllezërit që dëgjohen çdo ditë, por e kemi marrëdhënien me njëri-tjetrin shumë të pastër. Unë jam një kombinim i të dy prindërve, vëllzërit njëri plus njëri minus anojnë pak më shumë nga tjetri. Unë jam një kombinim i të dyve, nga babi kam marrë dëshirën për art, dëshirën dhe nevojën për t’u thelluar në mendime, nga mami ndoshta kam marrë pjesën e një ndjeshmërie tjetër, nuk di si ta shpjegoj, ajo ka qenë sa e dashur dhe e fortë, sa e ndjeshme dhe e brishtë aq edhe stoike. Ky është një kombinim që unë herë pas here e vë në veprim në jetë dhe kjo më kujton shpeshherë atë.
Një ndër to ishte një histori që nuk është treguar kurrë më parë nga Albani, në fëmijërinë e tij. Një hap në dukje ‘i çmendur’, por që një producent të tillë e kemi falë guximit që ai tregoi.
Historia ime është aq sa e zakonshme për shqiptarët aq edhe shumë interesante ndoshta për dikë që nuk e njeh Shqipërinë. Unë ika pa lejen e prindërve, jetonim në Vlorë dhe ika pa mbushur 15 vjeç me një shokun tim. Vajtëm të shikonim çfarë ndodhte, në atë periudhë ishin trazirat e ’97-ës dhe donim të shikonim çfarë ndodhte me anijen me kuriozitetin e një adoleshenti të papërgjegjshëm dhe të papjekur. Aty anijet ishin super plot ,njerëzit kishin ditë që ishin brenda dhe donin të iknin. Unë nuk mendoja kurrë që do kisha shans të hipja, sepse ajo ishte marrë nga shumë njerëz të rrezikshëm me armë. Ndodhi që një shok i vëllait tim më tha “Je vëllai i Martinit? Po, hajde mund të hipësh.” Aty kam përshtypjen ishte momenti kulmor i jetës time, pasi ndryshimi që mori jeta ime në ato momente është shumë i madh. Unë nuk do isha sot ky që jam nëse nuk do kisha bërë atë hap. Rruga ka qenë e sikletshme, për pak rashë në det, u prish anija, filloi të merrte ujë, një histori e jashtëzakonshme, pastaj na shpëtuan anijet italiane. Dy-tre javë nuk kam pasur kontakt me familjen. Unë isha 2-3 orë larg vëllezërve që jetonin në Itali, ndërkohë që ata ishin 8-9 orë larg më kërkonin, ndërkohë unë isha shumë afër tyre. Një ditë pasi u nis anija ku isha unë, u nis dhe anija e Otrantos që u mbyt dhe nuk e dinin a isha në atë anije. Dikush i kishte thënë që isha në atë anije. Pastaj kam ndejtur një muaj në kamp me shqiptarët me lloj-lloj natyra njerëzish. Ishin vitet kur shqiptarët kishin nevojë të emancipoheshin. Kur mendoj sot, them që kam qenë i fortë, them që jam i fortë dhe ndonjëherë kur përkëdhelem dhe merrem me dobësitë e mia emocionale, i kujtoj vetes ca momente shumë intensive dhe më ndihmon shumë. Pastaj pata fatin që të lidhesha me familjen pas një kohe të gjatë, me vëllezërit dhe pastaj historia ime nga ai moment vazhdoi me vështirësi të tjera, por gjithmonë me këmbëngulje dhe me besim. Më duhej të punoja që 15-16 vjeç. Kam bërë shumë punë, nuk kam qenë shumë punëtor në kuptimin fizik, kam qenë i brishtë , meditativ. Kur punoja mendoja shumë, nuk kisha atë fokusin e një punëtori të devotshëm. Isha ëndërrimtar. Kam bërë shumë punë, nga kamarier, parkues makinash, kam punuar në pastiçeri, bare, në hotel, fabrika mobiljesh. Shumë lloje punësh, por ndërkohë dhe jam munduar të kultivoj pasionin për muzikën, të dal me miqtë, të blej një motor, të blija rrobat e mia, mundohesha fort edhe pse isha pa prindërit. Kjo disi më ka ndihmuar që të mos humbasim kontaktin me artin. Italia më dha pasionin e madh për artin, u njoha me muzikantë, me muzikën italiane, sidomos në koncertet e mëdha ku kurseja për të blerë një biletë e cila ishte e shtrenjtë për mua. Kurset mundohesha ti paguaja vetë, kur e mendoj sot për një fëmijë të asaj moshe jam shumë krenar.
E nëse ishit kuriozë, Albani na tregon se si nisi pasioni i tij për muzikën dhe kur e kuptoi se në fakt ajo që do të bënte në të ardhmen ishte pikërisht këndimi.
Nuk është se kam qenë shumë i ndërgjegjshëm për talentin tim. Unë këndoja para pasqyrës, merrja një fshesë, sajoja diçka, bëja çudira, por sa dilja nga shtëpia isha shumë i pasigurt. Nisa që në moshë shumë të vogël të shkruaja tekstet e mia, meloditë e mia, por për shumë vite nuk ia kam treguar askujt veçse familjes kuptohet, sepse takoja muzikantë, artistë të tjerë që ishin të vegjël, por kishin studiuar, ishin nga ana teknike shumë të mirë. Duhet të them që hapin e parë e kam bërë vonë por ka qenë një zotëri italian, unë uroj që të jetë gjallë sot, duhet të jetë moshë e madhe tani, ai është ndoshta arsyeja që unë jam këtu sot. U prezantova te ai zotëri dhe merrja leksione për kanton, doja të kuptoja ku isha dhe doja një ndihmë. Ai që nga momenti që më dëgjoi, tha “vesh muzike ke dhe je shumë i intonuar, ti ke talent”. I thashë “nuk e di nuk kam eksperiencë”. “Si mendon pse nuk merr pjesë në një ‘talent show’ për krahinën”, më tha dhe i thashë “Në asnjë mënyrë, unë nuk jam gati”. Ai insistoi dhe pranova. Këndova dy këngë të Eagles, ishte juri e madhe, familja ime para, ishte i gjithë qyteti aty, këndova me shumë emocion. Edhe pritëm në fund, juria vendosi dhe fitova unë në qindra konkurrentë. Për mua ishte ai moment që fitova besim te vetvetja, pastaj nga ai moment prapë me këtë zotërinë që më dha disa mundësi të tjera ku dola vendi i parë. Ai ka qenë shtysa më e madhe. Unë nuk doja të kompozoja në shqip, më pëlqente të këndoja në anglisht dhe italisht, familja, prindërit, sidomos më luteshin të bëja një këngë shqip dhe unë bëra për t’ju bërë qejfin më shumë dhe për të provuar veten. E realizova këngën ia dhashë babit. I thashë, na merre bëj çfarë të duash, nuk kam asnjë deshirë apo ambicie të bëj diçka në Shqipëri. Ia dha një mikut të vet që e çoi në disa festivale dhe një ndër to ishte dhe Festivali i Fundvitit në RTSH siç ishte dhe Top Festi. Nga festivali morëm përgjigje në 2004 që i thanë babit nuk është pranuar. Ndoshta nuk e kanë dëgjuar fare, me siguri, se në atë kohë ashtu funksiononte, shkonin kompozitorët e njohur, nuk kishte shumë mundësi për talentet e rinj. Erdhi dhe në Top Fest atje mbaj mend që ka ardhur shumë para afatit, sepse ashtu ka ndodhur.
Pas suksesit të madh kur fitoi Top Fest, Alban Skënderaj tregoi se si vazhdoi karriera e tij dhe sa punë duhej për të arritur këtu ku është sot.
Nga ai moment nuk kam ditur më asgjë dhe nuk kam pretenduar më asgjë. Pastaj ndodhi që këngën e kam dëgjuar në Top Channel, e pëlqyen shumë, më morën në telefon. Mbaj mend që ishte një histori me Dritan Hoxhën, i cili u dashurua shumë me këngën, por mbaj mend që ashtu si ishte ai shumë i apasionuar, shumë impulsiv, sidomos ndaj artit, mbaj mend që kishte marrë babin tim në telefon shumë entuziast dhe kishte folur rreth 40 minuta në telefon ‘është një këngë e mrekullueshme, djali jot ka shumë talent’ dhe kur më thotë babi që më ka marrë presidenti i Top Channel, thashë duhet të kenë bërë ndonje shaka me siguri. Kënga pati pastaj një impakt të menjëhershëm. Më është dashur të punoj 10 herë më shumë për këngët e mia se sa ti realizoj për të mbajtur atë presion që erdhi nga hiçi. Jam munduar gjithmonë të jem shumë modest, shumë falenderues dhe të punoj. Mbaj mend menjëherë ditën e nesërme pasi fitova Top Fest-in, ika në Itali te familja ime, u ktheva sepse bëra një marrëveshje me Top Channel për albumin dhe pasnesër isha në studio duke realizuar albumin dhe duke kompozuar. Nëse dikur një talent bënte diferencën, sot talente ka shumë sepse është një gjë që te njerëzimi evoluon, shtohet talenti, bëhet më e lehtë. Nëse do dilnim në rrugë të kërkonim njerëz me super talent dhe njerëz me super vullnet, jam i bindur që do ishte më e vështirë të gjenim njerëz me super vullnet. Normalisht, pasi fitova Top Fest pikëpyetja më e madhe kjo ishte, a ishte thjesht një hit që do mbaronte aty, a isha thjesht një ‘fluskë sapuni’ apo kisha për të dhënë dhe të treguar shumë. Kishte plot që paragjykonin, kishte plot që nuk prisnin shumë nga unë. Kjo ka qenë një shtysë e jashtëzakonshme për mua që të vazhdoj dhe të sfidoj veten, por gjithmonë duke ruajtur një grimcë identiteti. Momenti ndoshta më kulmor në kuptimin e vetëdijes, kur isha një artist i pjekur dhe i ndërgjegjshëm është koncerti në Pallatin e Kongreseve, ai është për mua ndoshta momenti më kulmor, sepe ishte një arritje dhe një thyerje akulli shumë e madhe për mua. Një eksperiencë e lodhshme, por e bukur dhe e cila më dha një energji të re, një dëshirë, një perspektivë të re në mënyrën si e shoh veten në vitet në vazhdim.
E së bashku me partneren e tij, këngëtaren e njohur Miriam Cani, artisti na tregoi se si lindi historia e dashurisë mes tyre që sot është bekuar me dy engjëj të vegjël.
Njohja me Miriamin edhe pse këto dashuri me shikim të parë nuk jam shumë i sigurt, jam skeptik por realisht me Miriamin ka pasur diçka të ngjashme. Energjia, simpatia, ishte e menjëhershme. Ne kemi ndejtur kur sapo jemi takuar disa orë bashkë. Jemi ulur, kemi folur dhe thjesht kemi folur. Kemi folur për familjen, muzikën, historitë tona dhe kishte një kimi. Nuk zgjati shumë që nga kimi u kthye në diçka më shumë në vetëm pak ditë. Unë e quaj dashuri me shikim të parë, nëse në pak ditë ti rri dhe të rreh zemra për dikë. Edhe kështu ka qenë për ne të dy. Rrethanat ishin të çuditshme dhe rastësi e fat për ne të dy që u njohem, se mundet dhe të mos ndodhte kurrë. Ishte një iniciativë e babit të Miriamit që u takuam rastësisht në Tiranë dhe ai kishte shumë dëshirë që Miriami atëhere të integrohej në tregun shqiptar. Më tha kam shumë dëshirë që ti të bësh një këngë me Miriamin. Mua më pëlqeu shumë ideja sepse Miriami në atë kohë ishte në kulmin dhe majat e muzikës europiane dhe atëhere nuk ka ekzistuar si sot, Dua Lipa, Rita Ora. Atëhere, ndoshta Miriami ka qenë e para që ka bërë diçka në këto shtete të mëdha të nivelit ndërkombëtar dhe për mua ishte shumë intriguese. Lamë një takim në Zvicër në një koncert të përbashkët dhe pjesa tjetër pastaj është histori. Unë jam shumë mirënjohës ndaj Miriamit dhe ndoshta tingëllon klishe e thënë për një partnere, por jam shumë mirënjohës sepse të arrish të bësh atë që bën ajo dhe të gjesh balancat dhe energjinë për të qenë pak kudo është për t’u admiruar. Miriami është sjellë me mua jo sikur është një partnere artiste, por sikur është një partnere që ka vendosur të mbështesë partnerin e saj ‘full time’. Ajo ka merita të jashtëzakonshme se jo vetëm më mbështet mua, por ruan dhe emrin e saj me shumë dinjitet, me shumë pasion dhe sakrificë. Është një nënë që nuk e di, jam me të vërtetë shumë me fat, sepse duke qenë dhe artiste, arti shpesh të shpërqëndron. Bota e artit është ndonjëherë më e kundërta e mundshme e të qenurit familjar, sepse ke nevojë të dalësh, të harrosh, të humbasësh. Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës, padiskutim ajo është gjysma e punës, suksesit dhe arritjeve të mia. Miriami më kritikon shumë për faktin se jam i pakënaqur dhe që jam pak impulsiv ndonjëherë, por me të vetën se unë jam zakonisht natyrë e qetë po me të e bëj këtë kompesimin. Unë jam tip që me vetë me Miriamin e them më shpejt se ç’duhet ndonjë fjalë, por jam dhe tip që kërkoj falje, e shoh në sy gabimin dhe e them haptas, më fal.
Kohët ndryshojnë dhe padyshim me të shumë gjëra ku ndër to është dhe arti, muzika. Padyshim që duke krahasuar këngët që prodhoheshin dikur në krahasim me ditët e sotme dallohet dukshëm ndryshimi që ka prekur gjithë artistët dhe ndër ta padyshim dhe Albanin. Por, për producentin e gjitha kjo ka një arsye.
Gjithmonë kam dashur që të mos flas vetëm për jetën time. Në materialet e mia kam dashur të jem pak më multidimensional, por më e rëndësishmja për mua është që ta përqafoj të ardhmen si artist që per mua duhet ta bëjë çdo artist. Shpesh kam këtë debat që më thonë ‘rikthe këngët e vjetra’, ato do bëhen herë pas here, janë ato që burojnë pa asnjë sforco nga unë. Ideja është qe kam pasur dëshirë të sfidoj veten, të sjell materiale pak më ndryshe, të rinovoj idetë e mia. Nëse flas gjithmonë për idetë e mia, atëhere rri në ujëra të ndenjura.
Por, si çdo njeri dhe Albani ka kaluar në jetë momentet e tij të vështira dhe ato të bukura. Teksa, producenti na zbuloi se këto momente te ai kanë ndodhur në të njëjtën kohë.
Momenti më i vështirë është patjetër kur mora vesh që mami ishte sëmurë me një sëmundje të paharrueshme. Edhe Miriami ishte shtatzënë, një lajm i jashtëzakonshëm. Pastaj mora vesh pas dy muajsh sëmundjen e mamit që ishte drama më e madhe e jetës time. Pas një muaji, vëllai im i vogël që unë jam shumë i lidhur pëson një aksident shumë të rëndë, qëndroi tre javë në koma. Ai ishte moment i jashtëzakonshëm, sepse ishin dy emocione aq të kundërta. Miriami ishte në muajin e tetë, vëllai në shtrat, mami në gjendje shumë të rëndë dhe unë po i ndiqja që të tre. Mendoj që ky ishte momenti më i vështirë i jetës time, i përzier me momentin më të bukur të jetës time, ardhjen në jetë të vajzës, Ameli. Në momentin që jam bërë prind kam ndryshuar shumë, ndoshta totalisht nuk di të të them. Fillimisht pata një krizë se erdhën të gjitha bashkë, të mira dhe të këqija. Deri në atë moment unë jetoja si një djalë i zakonshëm që asgjë nuk mundte të më cënonte. Të bërit prind është një impakt shumë i fortë. Patjetër është një dëshirë e madhe për jetën, një rilindje që përjeton, por dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.