Alban Ramosaj godet sërish me krijimet e tij. Artisti ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re, që mban titullin “Lithium” dhe ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.
“Lithium” flet për ndjenjat e një personi që është duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë dhe të trazuar emocionale. Vetë titulli, i referohet një substance që përdoret për të trajtuar depresionin dhe çrregullime të tjera emocionale, duke aluduar se personi ndjehet i mbytur nga emocionet e tij dhe kërkon një lloj ndihme për të balancuar jetën dhe ndjenjat e tij.
“E shkrova këtë këngë (kënga e dytë nga Heartbreak Motel EP) gjatë një periudhe reflektimi të thellë. Ajo tregon kuptimin se sa e pashëndetshme mund të jetë të varesh nga dikush tjetër (ndonjë partner potencial) për stabilitet dhe mirëqenie emocionale; duke kuptuar se sa e lehtë është të humbasësh nga sytë faktin se ato gjëra duhet të vijnë përfundimisht nga brenda”, shkroi Albani në një postim të tijin pas publikimit të këngës.