Një këngëtar shumë i dashur për publikun shqiptar dhe një nga emrat më të komentuar të momentit, Alban Ramosaj ishte në një rrëfim ekskluziv për Top Albania Radio për hapat e tij të parë në muzikë. Ai kujton fillimet e tij në fushën e muzikës, duke na zbuluar se e para që e kuptoi talentin e tij, ishte pikërisht motra, Beatrix Ramosaj.

Në fillim këndoja vetëm, sepse nuk doja të më dëgjonte njeri. Më pas, më dëgjoi Beatrix dhe më tha: “Ti je për këtë rrugë”. Ajo ka qenë e vetmja dhe e para që është marrë seriozisht me mua për sa i përket këngës.

Gjithashtu, Albani nuk mund të mos ishte falenderues për përkrahjen që ka patur në hapat e parë nga Top Albania Radio.

Ju keni patur besim te mua, televizioni dhe radio. Jam shumë falenderues që keni parë diçka te unë, seriozisht faleminderit shumë.

Ramosaj foli për këngën e tij më të fundit “Theje”, me të cilën është aktualisht duke konkurruar në “Festivalin e Këngës” në edicionin e 60-të.

Isha betuar me veten time që nuk do bëj më gjëra të tilla sepse nuk e keni idenë sa ankth, stres, presion pune më është dashur për atë projekt… Është një lloj presioni aq i madh, është shumë gjë e mirë kur të thonë që është kënga fituese apo nëse nuk zgjidhem do të bëjnë protestë. Janë shumë të bukura, por kur të përsëriten… Nuk e bëj për asnjë lloj qëllimi, dua thjesht të bëj muzikë… Festivali do kaq shumë impenjim, çdo moment duhet t’ia kushtosh…

Por si nisi e gjitha kjo?! A ka qenë një ëndërr jete për Albanin të ishte pjesë e “Eurovision”?

E gjitha nisi nga fakti që unë në subkoshiencën time gjithmonë kam dashur të bëj muzikë anglisht, por pasi kam audiencë shqiptare nuk do gëzoja sukses. E gjitha lindi si ide marketingu. Gjëja më e përafërt për këngë anglisht ishte “Eurovision”. Nëse arrin të dalësh atje, është momenti të nxjerrësh diçka anglisht.

 

Ndërkohë, Alban Ramosaj është në klasifikimin e “The Top List” me projektin e tij “Shpirto”, i cili këtë javë pozicionohet në vend të 42-të, 13 vende më lart nga java e kaluar.