Alban Nimani është një nga hyrjet më të reja të kësaj jave në “The Top List”. Ai ka publikuar së fundmi projektin e tij më të ri “Ne jemi t’lirë”, që ka hyrë këtë javë në klasifikim.
Ashtu siç kuptohet dhe nga titulli, kënga i referohet konceptit të lirisë. E veçanta e projektit është se ka bërë bashkë gjithashtu Bandën Frymore të Tiranës, por dhe sportin.
Alban Nimani ka lindur më 13 Qershor 1977 në Prishtinë. Ai është artist që eksperimenton në mediat e reja dhe muzikën elektronike duke krijuar një lidhje mes shumë zhanreve të muzikës dhe artit. Me përvojë në intermedia dhe muzikë alternative, performancat live përmbajnë muzikë minimaliste elektronike dhe procesim në kohë reale të efekteve vizuale, instalacioneve, audio efekteve dhe kërcimit modern.
Kur ishte 13 vjeç, ai mendonte se kishte lindur për muzikën klasike. Por iniciativa e Alban Nimanit, vokalistit të grupit “Asgjë sikur Dielli” u zbeh menjëherë në vitet ’90, atëherë kur ai krijoi bandën e tij muzikore. Ajo nuk ishte një orkestër klasike. Sapo kishte lindur “Asgjë sikur Dielli”, një nga grupet më të mira të rock-ut alternativ në hapësirat shqipfolëse.
Asgjë Sikur Dielli është një grup muzikor shqiptar nga Kosova, i themeluar në fillim të viteve ’90 dhe krijon muzikë në rrymën alternative. Deri më sot kanë lançuar dy albume të plota, “1” i publikuar në 1998, dhe “Ndodhemi” publikuar në 2005. Përbërërja e grupit në vitin 2006 ishte me këta anëtarë të rregullt: Alban Nimani-vokalist, Bujar Hundozi-kitarist, Visar Qeska-basist, Fatos Berisha-baterist, Blerta Kosova dhe së fundmi Pëllumb Ballata. Grupi deri më tani ka qenë i suksesshëm duke qenë ndër grupet e rralla që janë mirëpritur në koncerte live, në Kosovë e po ashtu në Shqipëri. Karriera e tyre startoi me një ripunim të këngës së Gjurmëve, “Mendoja se çdo gjë merr fund pa ty”, që edhe sot njihet si një nga ripunimet më të mira në muzikën shqipe. Pas këtij ripunimi Asgjë Sikur Dielli njihen edhe për këngët e tyre të vera, që njihen për origjinalitet dhe kanë sjellë në muzikën shqipe një frymë të re alternative.