Kjo javë ka ardhur ndryshe sa i përket pozicionimit të projekteve muzikore. Ajo çfarë bie në sy është se 5 artistë “të njëjtë” janë të renditur në 5 vendet e para.
Ndryshe nga java e kaluar, këtë javë është Butrint Imeri me projektin tij “Bella”, ai që kryeson “The Top List”. Përveçse mban kreun e listës, Butrinti gjendet gjithashtu në vendin e tretë të klasifikimit më këngën “Vec per mu”. “Mona Lisa” është një tjetër projekt i Butrint Imerit që është pjesë e listës prej 21 javësh, ku për këtë javë mban vendin e 6- të.
Ky vit ka rezultuar tepër i suksesshëm për Butrintin, projektet e të cilit jo vetëm kanë qënë pjesë e “The Top List”, por gjithashtu janë renditur mjaft mirë. Përveçse ka patur një axhendë të ngarkuar me koncerte si brenda dhe jashtë Shqipërisë, Butrinti ishte një ndër të ftuarit special të “The Voice”, ku shkëlqeu me performancën e tij.
Vendi i dytë, kësaj jave, i përket bashkëpunimit të suksesshëm të Ardian Bujupit dhe Capital T, “Andiamo”. Ndërkohë që javën e shkuar mbante vendin e parë, gjatë kësaj jave ai ka humbur një pozicion, duke u renditur në vendin e dytë. Capital T është gjithashtu pjesë e 5 këngëve më të nxehta të klasifikimit edhe me bashkëpunimin e tij me Mixey, “Hatixhe”, një këngë që qëndron në “The Top List” prej 10 javësh.
Capital T është një ndër artistët që ka publikuar më shumë projekte gjatë këtij viti, qofshin ato bashkëpunime apo “solo”. Rreth 7 projekte muzikore ka publikuar reperi brenda këtij viti, të cilat kanë rezultuar tepër të suksesshme. Capital T ka lajmëruar të gjithë fansat e tij se së shpejti do të nisë një turne muzikor nëpër botë.
Alban Skenderaj dhe projekti i tij “Nuk je vetem”, ashtu si edhe javën e kaluar, pozicionohet në vendin e 4-t. Albani është i vetmi artist që ndodhet në Top Listë me 5 projekte muzikore. Gjatë kësaj jave, Albani është bërë pjesë e listës me projektin e tij më të ri muzikor në bashkëpunim me Dj Oltin dhe Lyrical Son, duke u pozicionuar në vendin e 48-të.
Ndërkohë që nuk i ka munguar publikut me projektet e tij muzikore, Albani ka qenë gjithashtu një nga trajnerët e “The Voice of Albania”, ku triumfoi së bashku me konkurrentin e tij, i cili u shpall zëri më i mirë i shqiptarëve.