Robert Aliaj Dragot, e filloi karrierën e tij si piktor, pikërisht kjo ishte dhe pikënisja për të gjitha aktivitetet e tjera në të cilat ai mori pjesë. Në fund të viteve ’90, pas një karriere të gjatë si këngëtar, Robert Aliaj u ndal me muzikën për t’u rikthyer në pasionin e tij të parë si piktor. Puna e tij është figurative dhe ai merret me përdorimin e gjerë të teknikave nga fotografia, televizioni dhe filmi.
Subjektet e pikturave të tij variojnë zakonisht nga politika në Shqipëri, deri në atë banale. Tani shumë vite më vonë në Bruksel, ai është i fokusuar veçanërisht në një hulumtim multimedial, duke eksperimentuar me fotografinë, animacione dhe pikturë, pa humbur cilësinë piktoreske. Ai shpesh herë merr pjesë në spektakle të ndryshme televizive si pjesë e jurisë.
Robert Aliaj Dragot ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës Shqiptare nga viti 1987 deri në 1992. Disa nga këngët e tij janë: “Tre Vëllezërit”, “Kur Vjen Pranvera”, “Dashuria”, “Jetës Fali Zemrën”, “Dy Gjysma Molle”, “Valsi i Panjohur”, “Ca Fjalë Qiellit” dhe “Ah ku me hodhi Zoti”.