Vserlo, një nga artistët më të rinj premtues të “Top Awards”, është në prag të lançimit të albumit të tij të ri. I ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio, Vserlo, ka treguar detajet mbi albumin e ardhshëm dhe ka zbuluar më shumë mbi këngët që përmban, por jo vetëm.

Çfarë mund të na thuash për muzikën tënde?

Unë e di dhe e kam konstatuar që jam akoma në atë fazën timë që dua t’i eksperimentoj të gjitha, dua të përfshihem në gjithçka, dua ta provoj veten në çdo gjë të mundshme që ka të bëjë me fushën e muzikës. Aktualisht nuk e kam parë rreth e rrotull të bëhet por mendoj se do ja dalim.

Si i shikon artistët shqiptarë?

Artistët shqiptarë shikohen në shumë këndvështrime, normalisht çdo artist ka të mirën dhe të keqen e tij në pikëpamjen e çdokujt. Por unë në pikëpamjen timë, artistët shqiptarë i shikoj të fokusuar në gjëra specifike që deri diku i karakterizojnë tek publiku. Përshembull, nëse dëgjohet, njerëzit e njohin si performues të mirë.

Ti si artist i gjeneratës së re, çfarë do doje të sillje ndryshe që mendon se i mungon tregut shqiptar?

Mendoj që unë personalisht kam akoma shumë punë për të sjellë një frymë inovatore, gjë që nuk e kam bërë akoma me 15-të këngë që kam, mendoj që do jetë një përqindje e vogël inovatore tek albumi që jam duke përgatitur dhe që besoj se do e kem gati në nëntor dhe janar, publikimi do jetë në dy volume.

Si është titulli i albumit të ri?

Titulli i albumit është “Drop Off Your Tears”. Arsyeja që i kam vendosur këtë emër albumit, ka qenë vetëm prej faktit që doja që i gjithë albumi të ishte një shfryrje e shumë situatave të krijuara, si personale ashtu edhe për gjërat që mund të kem dëgjuar vërdallë nga njerëzit që njoh. Gjithashtu edhe disa histori të krijuara nga unë dhe doja që albumi t’i përmbante të gjitha këto.

Tek kënga “Marionette” çfarë ke zbuluar të re?

E kam gjetur veten tek “Marionette” kur kam parë fytyra të dyta tek njerëzit që më rrethonin.

 

Cili është modeli që ti do doje t’i jepje gjeneratës tënde?

Nuk kam diçka specifike, por që mendoj diçka të përparuar, në lëvizje dhe jo një njohuri bazike.

Inovatore apo revolucionare? Çfarë të intrigon më shumë?

Të dyja në ndërveprim.

A e shikon suksesin me klikime?

Jo, nuk e shikoj suksesin me klikime. Nuk shikoj sukses në diçka që mund ta blesh me para, shikoj sukses në diçka që nuk mund ta blesh por mund ta arrish.

A është arti biznes?

Arti po bëhet në biznes dhe po vazhdon të evolucionojë si i tillë por që unë mendoj se thelbin kush e ka, e ka sepse e ndjen dhe e vazhdon ashtu dhe sjell art në mënyrën e tij. Ata që rriten shpejt mund edhe të bien shpejt, kështu që pse të bie kur e kam potencialin për t’u rritur dhe për t’a pasur atë që dua të kem.

Çfarë do të ketë albumi dhe çfarë të ka inspiruar?

Kam vendosur ta provoj veten në shumë faza. Albumin kam vendosur ta ndaj në dy volume, volumi i parë publikohet në nëntor me shumë siguri në datën 21 dhe volumi i dytë në 21 Janar.

Ky numër është specifik?

Është specifike sepse ideja për publikimin ka qënë për datën 21 Janar, në ditëlindjen time dhe të mbesës sime. Çdo gjë në album është ndryshe dhe nuk ka të bëjë me këngët që kam bërë deri tani, le ta quajmë një rikonstruksion. Do të keni një Vserlo më të rritur, më të mirëmenduar dhe shpërthyes. Në album do të ketë edhe dy versione të ndarë në ngjyra, versioni blu dhe i kuq. Versioni blu do të paraqesë një sërë remix-esh bashkë me katër këngë në shqip. Ndërsa versioni i kuq do të ketë një këngë spanjisht që më në fund po e provoj veten në spanjisht. Diku tek 14 këngë të tjera do të jenë anglisht.

Cila nga këngët është e preferuara jote?

E preferuara ime nga gjashtë këngët e para është intro, hyrja e albumit. Nuk mund ta quaj këngë të mirëfilltë por është një hyrje 1 minutë e disa sekonda që titullohet “God Who’s Vserlo”.

Vserlo ndërkohë ka 3 këngë në klasifiimin e “The Top List”. “Maronette” në vend të 61-të, “Plagë” në vend të 69-të dhe “Nothing but Love” në vend të 87-të.