Në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio ishte i ftuar këngëtari Kejdi Dërvishi, ose ndryshe siç njihet me emrin artistik, Vserlo. Vserlo na zbuloi detajet e pathëna rreth projekteve të tij muzikore, të cilat janë rritur tashmë shumë në numër. Artisti para pak javësh u bë pjesë e “The Top List” me këngën “Hurricane”, e cila është pëlqyer mjaft nga dëgjuesit. Gjenerata e re duket se përfaqësohet mirë nga muzika dhe arti i tij. Në lidhje me këtë temë, Vserlo është shprehur:

Nuk kam menduar ndonjëherë se përfaqëson diçka ajo çka unë bëj. Do të thoja që përfaqëson atë që dua të bëj, ndoshta jo çfarë publiku shqiptar pret nga një artist i ri, pasi këtu dihet që pëlqehen më shumë gjërat tradicionale. Unë e shikoj veten shumë të hapur ndaj propozimeve të reja muzikore apo gjërave të reja që dalin në treg.

Kënga e tij e fundit është bërë mjaft e njohur në platforma të ndryshme sociale, ku në Spotify ai numëron një shifër mjaft të lartë ndjekësish me projektet e tjera.

Ndikon goxha fakti që Spotify është mjaft i përhapur jashtë shtetit. Madje do të përmendja një nga këngët e mia që ka arritur dëgjimet më të larta nëkrahasim me këngët e tjera dhe madje një këngë e mia është luajtur edhe në një radio në Mbretërinë e Bashkuar, titulluar “Haters Gonna Love”. Fatmirësisht në Shqipëri nuk është përhapur shumë si trend. Them fatmirësisht pasi ajo që unë bëj nuk kërkon Shqipërinë si publik, do kërkoj të huajt. Shqiptari nuk është i edukuar të mbështesi dikë që sjell diçka të re në art, ai komenton diçka të re që ndodh në art.

Vserlo, më parë, ka tentuar të jetë pjesë e konkurseve muzikore të zhvilluara në Shqipëri, por nuk ka dëshmuar sukses. I pyetur se çfarë mendon se e ka penalizuar për këtë pjesë, ai është shprehur:

Unë mendoj se nuk e kam të nevojshme të jem i pranuar nga juri e caktuar e festivaleve që janë në zë. Ideja është se gjithmonë kam dashur të bëj përparësi në karrierën time. Nuk jam mirëpritur ashtu siç do të duhej, jo siç do të doja. Kam shtatë vite që bëj muzikë. Ajo çka ndoshta unë e shoh si mungesë është menaxhimi i emocioneve, duke mos patur një eksperiencë të gjerë në shfaqje publike. Nuk do doja të merresha me një ‘por’ shkaktuar nga unë. Nuk e specifikoj dot një arsye në aq shumë.

Ai gjithashtu ka shtuar se kënga e tij e fundit i dedikohet ishave të tij. Në rrjetet sociale, kryesisht Tik Tok, artisti përballet me mjaft komente negative, të cilat përbëjnë shumicën e tyre. Ai është pyetur në lidhje me këtë çështje dhe me faktin që ndjekësit negativ e lidhin këtë gjë kryesisht me orientimin e tij seksual.

Do doja të shtoja që unë kam qenë dhe jam një mbështetës shumë i madh i komunitetit LGBTQIA+ dhe më pëlqen shumë fakti që kjo gjë prek masën, duke u trajtuar si tabu. Shumica e komentuesve ose ofenduesve janë meshkuj. I jam kthyer në mënyrë qesharake pasi kur dikush përballë teje tregon injorancë, atëherë duhet t’i kthehesh pasi ndryshe nuk kuptojnë. Bota që unë kam krijuar ka qenë gjithmonë shumë para kohës.