Javët e fundit, Shqipëria është tronditur nga ngjarje të tmerrshme, dy gra janë vrarë në mënyrë makabre nga bashkëshorti apo ish-bashkëshorti i tyre. Dhuna në familje është mjaft e pranishme në familjet shqiptare, ku një pjesë denoncojnë dhe nuk marrin mbështetje ndërsa një tjetër pjesë zgjedhin të rrijnë në heshtje nga frika e madhe.
Aurela Gaçe ka vendosur t’i jap një zë të gjitha atyre femrave që përjetojnë këtë dhunë të tmerrshme, duke publikuar këngën e titulluar “Veten dua gjallë”. Me penën e mrekullueshme të Rozana Radit, që duhet thënë që është një ndër tekstshkrueset më të talentuara shqiptare, dhe me muzikë të John Van Ride dhe Aurela Gaçe, ky projekt muzikor duhet të dëgjohet patjetër, qoftë nga publiku mashkullor apo ai femëror.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për programin “Rudina”, këngëtarja ka zbuluar se dhunën psikologjike e ka ndjerë edhe në shpatullat e saj.
“Nuk besoj se ka familje shqiptare që nuk e ka provuar, mbase jo vetë por motra, shoqja, mikesha, nëna. Nuk besoj që ka njeri imun që nuk e ka parë të paktën“, shprehet Aurela.
Ndër të tjera, këngëtarja ka shtuar se ajo nuk është aspak ndryshe nga të tjerat, gjatë jetës së saj, i është dashur të përballet me persona që kanë dashur ta dhunojnë, pavarësisht se jo është larguar dhe është një femër e fortë. Aurela nuk ka lënë pa përmendur faktin se dhuna psikologjike, e cila është gjithashtu shumë e përhapur dhe shumë e dëmshme, ajo e ka përjetuar në shpatullat e saj.
“Veten dua gjallë” është renditur menjëherë në vendin e 9-të, një pozicion mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re.