TROJA është një nga gupet më të vjetra të muzikës metal në Kosovë. Ata janë formuar që në vitin 1990 dhe rrymat e tyre variojnë nga groove metal, rock, industrial, power, etj. Tekstet e forta të këngëve të tyre dhe muzika shpërthyese i kanë bërë një grup shumë të dashur e jetëgjatë dhe mjaft popullorë edhe në Shqipëri. Performancat e tyre live janë shpërthyese e plot energji. Ata kanë qenë shpesh herë në skenën e Top Fest-it, ku janë pritur me shumë dashuri nga publiku i Tiranës.

Troja njihen për stilin e tyre antikonformist, ata janë zëri i popullit të ndrydhur, zëri i njeriut të pakënaqur. Muzika e tyre përcjell gjithnjë një mesazh të fortë, mbi realitetin konfuz dhe keqardhjen ndaj apatisë. Tingulli i tyre është i fortë, tekstet të pazakonta; heroi i lirikave të tyre është njeriu i vogël, i cili në demokraci është gjithnjë i humbur, por pa e humbur shpresën e guximin për të rezistuar.

Këngët e tyre janë një himn kundër anomalive, aty gjithsecili e gjen veten dhe kur fabula gërshetohet me muzikën e fortë, adrenalina është gjithnjë në maksimum.

 

FORMACIONI:

Bujar Berisha: Vokal
Florent Bajrami: Kitarë
Agron Ejupi: Kitarë bas
Violand Shabani: Bateri
DISKOGRAFIA:

  1. PEOPLE: 2003
  2. AMANETI I CLOWN-IT: 2009
  3. ONE: 2015

Për rock-un dhe “demonë”  të tjerë

Një bisedë e shkurtër, me liderin e grupit TROJA


Top Awards:
Si është imazhi i një rocker-i? A ka ndryshuar ai nga dje?

Troja: Rocker-at kanë ndryshuar botën. Ata dëshmojnë se artisti nuk vjen nga shkolla, por buron nga shpirti. Muzika rock është ajo që ka vënë në të njëjtat paralele individin me institucionin. Një rocker i vërtetë është i aftë të prodhojë edhe në krizë, madje të sakrifikojë. Ai nuk mund të ndryshojë.

TA: A është e vështirë të bësh rock në kohët që jetojmë, kur tregu e ka ta vështirë të bëjë balancë mes cilësores dhe komerciales?

Troja: Në kohët e sotme është e vështirë për gjithçka, jo vetëm për të bërë muzikë. Është e vështirë, sepse jetojmë në një kohë kur njerëz pa vlera udhëheqin shoqërinë dhe të njëjtët janë bërë model i shoqërisë. Të njëjtët flasin për politikë, për ekonomi, për kulturë, sport etj. Prandaj është e vështirë të krijosh e të punosh në një mentalitet, ku me të madhe konsumohet Gullashi e Turbofolku.

TA: E megjithatë ju ia keni dalë. Ju keni lançuar para një viti albumin “One”. Një kuriozitet: a ka ndonjë paralele me “One” të Metallica-ve?

Troja: Albumi ynë s’ka lidhje me Matallica-t. E vetmja e përbashkët është titulli. Në këngën tonë, që mban dhe titullin e albumit, ne bëjmë thirrje që “unaza” që na ka mbajtur gjallë si komb deri më sot të mbahet e fortë dhe e qendrueshme karshi tendencave të ulëta të disave që duan ta thyejnë. Është një këngë kundër përçarjes, që do ishte një katastrofë për kombin tonë.

TA: Çfarë po projektoni tani? Ku do ju dëgjojmë dhe shohim?

Troja: Pas lançimit të albumit “One”, jemi duke planifikuar disa koncerte në hapësirën shqiptare.

TA: Suksese dhe mbajeni rock-un lart e më lart!