Me një karrierë shumë vjeçare në skenë e në muzikë, Shpat Kasapi na bashkohet këtë javë në “The Top List”. Është bashkëpunimi me Ergita Bahja, “M’thirr”, që e sjell për herë të parë në mesin e artistëve të Top Awards.
Shpat Kasapi ka lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Maqedoninë e Veriut. Ndër vite ai është njohur dhe është pëlqyer për këngët pop folk. Karrierën muzikore e filloi që në moshë të re, ku pas disa prezantimeve në festivalet për fëmijë, fitoi çmimin e parë në festivalin “Bletëzat 98” në Tetovë në moshën 13 vjeçare.
Sukseset e para që paraqesin një urë kaluese nga kënga për fëmijë në atë për të rritur ishin prezantimet dhe çmimi i parë në festivalin Këngët e Stinës 2002 në Tiranë, çmimi i publikut në festivalin Nota Fest 2003 në Shkup dhe çmimi i publikut në Albafest 2003 në Shkup. Menjëherë pas këtyre ai fitoi çmime të tjera siç janë: Pop Idol 2004, Netët e klipit -Interpretuesi më i miri në klip, Interpretuesi më i mirë ne “Top Fest 1”, çmimi hit në festivalin “Kënga Magjike 2004”, çmimi i publikut në “Kënga Magjike 2005”, “Zhurma Show Awards 2005” me kengën “Pa ty s’jetoj” si videoklipi pop më i mirë 2005, Best Male 2010 me videoklipin “Mëkatare” në “Zhurma Show 2010” dhe evenimente të tjera muzikore ku këngët e tij jane dëgjuar me shumë kënaqesi nga adhuruesit e këngës pop në gjuhën shqipe.
Shpat Kasapi deri më tani ka realizuar disa albume të sukseshme dhe mjaft të dëgjuara, ku përmendim “Tash po Kthehesh”, “Medikament”, “Axhamiu” (2003), “Do të vijë një ditë” (2004), “Pa ty s’jetoj” (2005), “Kush të ndau prej meje” (2006), “S’e pranon” (2007), “Sillu pshtillu” (2008), “Live popullore” (2009), “Medikament” (2010).