I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë producenti Jurgen Tufa, i njohur me emrin e artit Apollo Producer. Ai ka zbuluar më shumë detaje nga karriera e tij përgjatë viteve, bashkëpunimeve me artistët dhe jo vetëm kaq…
Pse ka zgjedhur emrin Apollo Producer?
Kur kemi qenë në një studio muzikore para shumë vitesh ka qenë një pajisje që quhet Apollo. Kemi dashur që ta blinim atëherë atë pajisjen dhe duke punuar me artistin Gent Fatali, më tha që pse nuk e vendos emrn Apollo. Kur mora vesh edhe kuptimin e Apollo-s më pas rashë akoma dhe më shumë në dashuri. Apollo lidhet edhe me një Zot, Perëndi nga mitologjia greke. Më pëlqeu dhe ashtu e mbajta më pas si ‘nickname’.
Thuhet se shpeshherë producentët janë më të rëndësishëm se sa artistët, sa dakord është Apollo me këtë?
Nuk mendoj kështu. Mendoj që producenti ka rolin që të nxjerrë maksimumin e një artisti. Më saktë të ndihmojë artistin që të bëhet versioni më i mirë i vetes.
Si e kupton Apollo kur një këngë është gati? Sipas tij cila është receta e duhur për një hit?
Nuk është se ka një recetë në fakt për një hit, por është ndjesi. Ti e ndjen kur kënga është ajo që duhet. Mendoj se kur e dëgjon një këngë, e ndjen kjo do të thotë se është gati.
Përgjatë këtyre viteve a është shkurtuar koha për të krijuar dhe finalizuar një këngë?
Me avancimin e teknologjisë po, dikur ka qenë pak më ndryshe. Mendoj se më e rëndësishmja është ndjesia sepse ka raste që mund të punosh një vit për një këngë, ka raste një muaj dhe ka raste edhe pesë minuta. Varet nga ndjesia se si të vjen dhe inspirimi.
Kur Apollo punon me një artist, ai përshtatet me stilin e tij apo e shtyn tek diçka që artisti me të cilin po bashkëpunon mendon se do t’i përshtatej më shumë?
Mendoj se unë përshtatem me artistin dhe mundohem që artistit t’i nxjerr më të mirën.
Përgjatë këtyre viteve si e shikon Apollo revolucionin e muzikës shqiptare?
Mendoj se ka evoluar me kohën. Kemi një gjë të mirë ne si njerëz që përshtatemi shumë me llojin e muzikës që prodhohet në botë. E kemi mundësinë që ta përshtasim edhe me llojin e muzikës që kemi ne. Mendoj që është hequr pak folku që ne e kemi pasur dhe po ezaurohet.
Sa të vështirë e ka Apollo që të ndjekë trendin e momentin sa i përket muzikës?
Duhet patjetër që të ecësh me hapin e kohës sepse është e rëndësishme kudo jo vetëm në muzikë. Brezat ndryshojnë dhe ne duhet të evoluojmë me brezat. Nga 1-10 mendoj se është e rëndësishme 9.