Siç dhe e kishte paralajmëruar prej pak kohësh, Rozana Radi ka publikuar EP-në e saj të re. Një projekt i veçantë i cili përmban tre këngë, tre rrahje zemre.
Rozana zbuloi në fillim të muajit, se një prej këngëve do të vinte si duet, me një njeri shumë të dashur për të, një zë që i njeh shpirtin. Kjo i la fansat duke kuriozuar edhe më shumë.
Dhe tani erdhi çasti që gjithçka u zbulua. “A isha”, mini albumi i Rozanës më në fund u publikua dhe projekti “Një cigare” i bashkohet klasifikimit të “The Top List” për këtë javë.
Kjo këngë është bashkëpunimi aq i shumëpritur për të cilin Rozana e paralajmëroi me aq dëshirë. Artistja ka ardhur në një duet me mbesën e saj, Nini, që e bën këtë këngë kaq të dashur, emocionale e një kujtim kaq të bukur që do të mbetet gjatë në mendje.
Lidhur me këngën “Një cigare”, Rozana është shprehur:
“Sot po ndaj me ju një duet shumë të veçantë për mua. Për herë të parë këndoj me mbesën time, e cila prej vitesh e ka pasur këngën në shpirt. Ajo nuk ma ka kërkuar kurrë një duet dhe pikërisht kjo e bën edhe më të bukur këtë moment. Kur i thashë se kisha një këngë për të, gëzimi i saj më preku zemrën. Ka një zë melodioz, të pastër, një zë që jam e bindur se do ta doni dhe do ta mbani mend.”