Në episodin më të fundit të emisionit “Pardon My French“, të ftuar special ishin Rilind Alimani dhe Klea Chutra, të cilët ndanë me publikun emocionet dhe prapaskenat rreth projektit të tyre më të ri muzikor, këngës “Bërtas”. Dy artistët folën për bashkëpunimin e tyre të parë, procesin krijues të këngës dhe mesazhin që ajo përcjell. Me një energji pozitive dhe plot humor, Rilindi dhe Klea rrëfyen gjithashtu eksperiencat personale që i frymëzuan gjatë punës në këtë projekt.

Performanca e tyre live në studio solli një atmosferë të veçantë, duke e kthyer emisionin në një festë të vogël muzikore. “Bërtas” është një këngë që flet për ndjenjat e fuqishme dhe shpërthimin emocional që vjen kur ato nuk mund të mbahen më brenda, një baladë moderne që premton të prekë zemrat e dëgjuesve. Ky projekt muzikor ka nisur rrugëtimin e saj drejt suksesit, duke u futur këtë javë në The Top List dhe duke zënë vendin e 40-të mes projekteve më të dëgjuara.

Si lindi ky gërshëtim midis dy artistëve?

Unë e kam thirrur Klean. I kam thënë ‘Klea, jam duke bërë pjesën e dytë të albumit dhe patjetër do të kem në album’ se e kam shumë mikeshë të vjetër. Tha ‘po patjetër, por çfarë kënge të bëjmë?’. I thashë ‘gjejmë diçka të bukur se gjynah që zëri yt mos jetë në album’. Edhe shoku ynë Andrea i kishte çuar një demo më parë Kleas. Ajo demo do ishte e ‘Bërtas’. Ma ka dërguar dhe tha dëgjoje. S’kaloi shumë kohë dhe e thirra dhe i thashë ‘kjo është’.

Një dashuri me dëgjimin e parë, le të themi ndryshe. Klea shton më tej:

Shiko, ishte gjëja që kur mori Rilindi, domethënë dhe tha ‘dua të kem zërin tënd’, që jo përveç se është një këngëtar shumë i mirë, një producent shumë i mirë, por gjithashtu është një djalë me një zemër shumë të pastër që unë e quaj vëlla. Kam kaluar vitet më të bukura në Tetovë, në shkollë kur kemi qenë.