I ftuar në një intervistë ekskluzive për emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë Ylli Shahaj, i njohur artistikisht si DJ Iljano. Ai është DJ profesionist dhe producent muzikor shqiptar. i cili nisi rrugëtimin e tij në muzikë që në vitin 2006, kur së bashku me disa miq krijoi labelin “Baba Records” dhe filloi të performonte në festa private. Debutimi i tij si producent erdhi në vitin 2007 me këngën “Pa Ty” në bashkëpunim me grupin The Neighbours.
DJ Iljano u bë pjesë e festivaleve Top Fest dhe Kënga Magjike si producent, ndërsa paralelisht performonte si DJ në klubet më të njohura të Tiranës, Kosovës, Francës dhe më gjerë. Një ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij është cover-i “Lane Moje” (2020) në bashkëpunim me DJ Dark, i cili u rendit në Top 5 për tre muaj në Turqi, numëron mbi 350 mijë kërkime në Shazam dhe mori vendin e 41-të në “Shazam Global House Chart”. Sot, DJ Iljano ka mbi 100 projekte të realizuara me artistë shqiptarë dhe të huaj dhe ka mbi 25 milionë dëgjime totale në platforma muzikore, duke u konsideruar një nga DJ-t më aktivë të momentit.
Përveç bashkëpunimeve të shumta ndër vite, DJ Iljano ka realizuar edhe projekte muzikore së bashku me Vesa Lumën, ndërsa aktualisht është duke përgatitur një bashkëpunim të ri me Big Bastën. Momentalisht ai numëron tri këngë remake të renditura në “The Top List”, përkatësisht në vendin e 22-të, 23-të dhe 24-ët. Nisur nga ky fakt, prodhimtaria dhe krijmtaria këto kohë është më e lartë se më parë, përse shumica e artistëve zgjedhin të bëjnë remake këngët e vjetra?
Sepse sot bëhet biznes, nuk bëhet më muzikë. Në qoftë se muzika më parë bëhej me pasion, askush nuk e kishte idenë se si do ecte kjo këngë, as këngëtari dhe as producenti nga krahu tjetër. Ndërsa sot, kemi shumë prodhimtari. Patjetër kemi ndihmesë edhe nga inteligjenca artificiale, që për mendimin tim më shumë po prish punë sesa po bën punë. Po krijon këngë 3-mujorshe, ‘këngë karamele’ i quajmë ne, thjesht për një kohë të caktuar. Këngë që kanë konstruktin e duhur, atë tekstin, mesazhin, absolutisht që nuk ka.
Çfarë ka kuptuar ai nga marrëdhënia e artistëve në këtë industri?
Që artistët shqiptarë janë shumë të frustruar. Patjetër artistikisht. Ne rrjetet sociale na kanë thjeshtuar shumë si gjë. Në qoftë se më parë e ke pasur vështirë të kontaktoje një artist, sot e ke më të thjeshtë se të shfaqen në rrjete sociale dhe mund t’i kontaktosh. Në qoftë se nga krahu tjetër ka dëshirë, ti mund ta realizosh si bashkëpunim. Edhe kur e kontakton, mund të kthejnë përgjigje dhe pastaj për një kohë shumë të gjatë të sorollatin dhe kjo gjëja nuk bëhet kurrë.