Këngëtari i njohur, Klajdi Musabelliu pas daljes nga “Big Brother VIP Albania 4” ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor. “E bukur”, titullohet kënga që e ka rikthyer atë sërish në muzikë.
Teksti i kësaj kënge është shkruar nga Irkenc Hyka, Anxhela Peristeri dhe Petro Xhori. “E bukur”, një këngë dashurie që lavdëron bukurinë e një personi të veçantë, e shoqëruar me melodi romantike dhe tekst të ndjerë.
“E bukur” është një projekt me një mesazh të rëndësishëm, dedikuar çdo vajze e cila duhet ta gjejë veten aty. Reagimi i publikut ka qenë i menjëhershëm dhe shumë pozitiv lidhur me këtë projekt.
Klajdi ka treguar edhe njëherë talentin e tij të madh dhe tashmë do të jetë edhe më aktiv në muzikë me projekte të reja. Ky projekt i tij ka sjellë Klajdin për herë të parë në “The Top List”, madje duke e pozicionuar menjëherë në vend të parë të klasifikimit të kësaj jave.
Klajdi Musabelliu lindi në 10 Prill 1983 në Gjirokastër dhe që nga një moshë e vogël u shfaq me një pasion të theksuar për muzikën. Talentin e tij ai e shfaqi fillimisht në disa konkurse lokale dhe më vonë mori pjesë në shfaqje televizive. Programi “Ethet e së Premtes Mbrëma”, edicioni i parë, ishte ai që i dha mundësinë të dalë në pah dhe të tërheqë vëmendjen e publikut shqiptar. Në këtë program, Klajdi u dallua për zërin e tij të veçantë dhe aftësinë për të interpretuar një gamë të gjerë këngësh, duke tërhequr simpatinë e publikut dhe të jurisë. Pas përfundimit të programit, ai vazhdoi të bëjë karrierë në muzikën shqiptare, duke nxjerrë këngë që u pëlqyen shumë dhe që i dhanë atij një vend të rëndësishëm në industrinë muzikore. Klajdi ka qenë fitues i Festivalit të Pranverës (Këngët e Stinës 2003) me këngën “Puthja e Parë”. Po ashtu pjesëmarrës në mjaft festivale në Shqipëri e Kosovë, si Këngët e Shekullit, Festivali i RTSH-së, Kënga Magjike 2003, etj. Klajdi ka ushtruar profesionin e gazetarit pranë ATSH për rreth 3 vjet e gjysmë. Paralelisht në më shumë se 15 vite, ka ushtruar dhe realizuar një tjeter pasion, atë të aktorit dublant në mjaft filma vizatimorë, përralla, kolona zanore hit për fëmijë si “Ben 10”, “Aladini”, “Ç’po shpik Andi” etj. Në dhjetor të 2024, Klajdi nisi një rrugëtim të ri dhe sfidues, në “Big Brother VIP 4”, ku qëndroi më shumë se një muaj. Pas kësaj eksperience, ai bën rikthimin në muzikë me këngën “E bukur”, me të cilën debuton edhe në “The Top List”.