Pas një pauze të gjatë në skenën muzikore, legjenda e muzikës pop shqiptare, Armend Rexhepagiqi, është rikthyer fuqishëm me një album të ri. Albumi mban titullin “Dashni e Vjetër” dhe përfshin gjithsej shtatë këngë, të realizuara me një përkushtim të thellë artistik dhe me bashkëpunime të rëndësishme që nxisin emocione të thella që në dëgjim të parë.

Pikërisht dy prej këtyre këngëve i janë bashkuar klasifikimit të javës të “The Top List”, duke bërë kështu që Armend Rexhepagiqi të debutojë në Top Awards. Bëhet fjalë për projektet “Dashni e vjetër” dhe “Krejt Prishtinën për Ditëlindje”.

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me autoren e njohur Aida Baraku, bashkëshorte dhe partnere artistike e Rexhepagiqit, e cila ka shkruar tekstet e të gjitha këngëve të albumit, ndërsa orkestrimi, incizimi, miksimi dhe masterizimi është bërë nga producenti i mirënjohur Darko Dimitrov.

“Dashni e Vjetër” është një rikthim i fuqishëm, i përshkuar nga dashuria, kujtimet dhe reflektimi, që dëshmon se zëri dhe stili unik i Armend Rexhepagiqit mbeten të papërsëritshëm edhe pas dekadash. Ky album është një dëshmi se arti i vërtetë nuk njeh kohë.