Që rikthimi i grupit Asgjë Sikur Dielli ka rezultuar i suksesshëm, këtë e vërteton më së miri kandidimi i tyre në “Top Music Awards” në kategorinë “Group of the Year”.
Të kontaktuar nga “Top Awards” në lidhje me nominimin e tyre përkrah grupeve NRG Band, Troja dhe Kaos, vokalisti i grupit, Alban Nimani është shprehur: “Kandidimi apo garimi nëpër konkurse për ne e ka një konotacion luftarak, ku gjithmonë përfundimi do të lërë një shije pakënaqësie tek artistët humbës dhe kjo ndjenjë nuk duhet të jetë e rëndësishme. E them këtë nga përvoja si fitues, humbës dhe vlerësues si anëtar jurish”.
“Lufta duhet të jetë me vetveten e jo me të tjerët. Megjithatë për neve është kënaqësi e madhe që puna jonë është vlerësuar nga Top Awards, duke u nominuar për grupin e vitit”, shton Nimani.
Asgjë Sikur Dielli u rikthye pas 4 vitesh në tregun muzikor, duke i munguar kështu publikut shqiptar por Albani ka treguar se gjatë këtyre viteve ata kanë ndjekur rrugë të ndryshme muzikore duke eksperimentuar dhe kjo solli që grupi të avanconte më tej si nga ana muzikore ashtu edhe ajo menaxheriale. “4 vite janë një periudhë e gjatë për të munguar në industrinë muzikore sepse shumë gjëra si shija dhe pritshmërite e fansave ndryshojnë dhe mbase është më i vështirë rikthimi sesa fillimi i karrierës. Pas ribashkimit ne kemi punuar shumë për të sjellë albumin “Disident” i cili është pritur mjaft mirë nga fansat tanë”, shprehet artisti.
Që nga rikthimi i tij, Asgje Sikur Dielli, ka publikuar 3 videoklipe ku “Disident” është klipi i parë shqip në realitetin virtual 360gradë. Gjithashtu djemtë e grupit kanë qënë mjaft aktiv nëpër festivale dhe koncerte duke konfirmuar kështu se ky grup i kishte munguar shumë publikut shqiptar.
Albani e ka përfunduar intervistën e tij me një mesazh të bukur për të gjithë fansat e grupit: “Dashuria është e vetmja zgjidhje”.