I ftuar në emisionin “Top Fare” në Top Albania Radio ka qenë artisti Frank Ibrahimi. Gjatë intervistës, Frank ndau me publikun detaje nga rrugëtimi i tij në muzikë, duke folur për sfidat që ka hasur në fillimet e karrierës, por edhe për momentet që kanë shënuar kthesë në zhvillimin e tij artistik. Ai u ndal gjithashtu tek projektet më të fundit muzikore, frymëzimet që qëndrojnë pas tyre dhe planet për të ardhmen, duke premtuar surpriza për fansat.
Edhe pse ai ka zgjedhur të mos japë më intervista këto kohë, atmosfera në studio ishte mjaft e ngrohtë, ku përveç bisedës profesionale nuk munguan as momentet spontane dhe rubrikat plot humor të realizuara nga moderatorët, duke zbuluar një anë më personale të artistit. Siç edhe e lartpërmendëm, nuk e kemi parë këto kohë shumë nëpër intervista, përse kjo zgjedhje?
E ke parasysh kur secili kërkon atë kohën e vet, mbase kërkon të riformatohet pak dhe të gjejë pak veten aty ku mendon se ka humbur pak? Le të themi që ka qenë një periudhë e tillë. Ti plotësohesh nga një anë, por humbet shumë të tjera. Jam fans i të menduarit se dua të formohem edhe në arte të tjera, jo vetëm në muzikë.
Në cilën fushë tjetër të artit ai do të investohet?
Unë jam i uritur për shumë gjëra. Të formohem sa më shumë. Mendoj një formim personal, të lexoj pak më shumë, të kërkoj pak më shumë nga vetja. Në fund, mendoj se të gjitha këto do më ndihmojnë të formohem më shumë si artist.
Edhe pse ai nuk ka dalë nëpër intervista, Frank ‘ndez’ me plot kuptimin e fjalës atmosferën në lokalet e natës të Tiranës, ku performon me zërin e tij unik dhe me grupin që e shoqëron që quhet “Frankenstein”. Më shumë, ai zbuloi:
Kemi një grup, i cili po mbetet aktiv në jetën e natës dhe uroj që jeta e natës, skena në përgjithësi po çfarë të bëjmë që skena këtu në Shqipëri fokusohet më shumë në jetën e natës. Uroj që të jemi aktiv se ajo më mban edhe mua në terezi.
Ka të bëjë emri i grupit me emrin e tij, duke qenë se është brenda fjalës “Frankenstein”?
Emrin e grupit e ka vendosur artisti i mirënjohur shumë i madh Sokol Keci. Kitaristi për mendimin tim më të madh që ka pasur Shqipëria dhe erdhi në bazë të emrit tim. Është një ndërthurje kuptimesh, por që nga gjermanishtja nëse e marrim niset nga Frank’s rock sepse ‘stein’ është ‘rock’.
Si u ndjeve që u zgjodhe për të kënduar në këngën e fundvitit të Top Media?
Më ra një super super privilegj. Ishte nder dhe kënaqësi kur më erdhi ftesa nga Alban Male, të cilin e falënderoj jashtëzakonisht shumë. Kur më erdhi pastaj konfirmimi zyrtar nga Ledion Liço dhe Alban Male, isha ‘wow’. Ajo këngë është aq e bukur sa nuk më mbetej gjë tjetër veçse të jepesha komplet aty.
Ke folur me Eugent Bushpepën pasi doli kënga?
Po, kam folur. Më tha ‘sa mirë që e ke bërë ti këngën time’.
Je duke punuar me ndonjë këngë të re dhe kur mund të dalë?
Po, por është pak e paqartë, sepse kur mbaroj një këngë bëj një reflektim. Mendoj a është e mirë mjaftueshëm kjo këngë për tregun shqiptar apo jo. Unë për vete e kam, nuk e di a e kanë të tjerët këtë gjë. Por uroj që sa më shpejt.
E synon tregun ndërkombëtar?
Kjo është një ëndërr, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Kjo është një ëndërr që e synoj, uroj të realizohet në një të ardhme.
Me cilin artist do të doje të bashkëpunoje?
Vazhdoj të ëndërroj me këmbë në tokë, të kem një bashkëpunim me Eugent Bushpepën dhe MC Kreshën.