Redina Trieshi është një këngëtare mjaft e talentuar, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që shpesh vjen me projekte muzikore për të qenë sa më afër publikut të saj. Pak kohë më parë ajo solli “Eja me mua” e cila u bë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të mira moderne shqiptare të Top Awards. Redina ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike për “Live From Tirana”, ku foli më shumë lidhur me këtë projekt, por dhe për planet e saj të ardhshme.

Si erdhi “Eja me mua”?

Ky ishte një projekt që m’u prezantua fillimisht nga kompozitori Genti Myftaraj. Asokohe demoja kishte një referen të formuar dhe ishte përgatitur nga producenti dhe një këngëtare e talentuar, Ergita. Më pëlqeu sapo e dëgjova dhe e provova me zërin tim dhe vendosëm që ta përfundonim.

Si është jetesa në SHBA për ty?

Aktive. Kam 8 vite që jetoj këtu, jam shkolluar në Amerikë. Kam ardhur në vitin e fundit të gjimnazit. Mbarova shkollën e lartë dhe tani punoj këtu në New York. Çdo vit e vizitoj Shqipërinë, zakonisht në verë. Më mungon gjithçka nga Shqipëria. Edhe pse është një komunitet i madh shqiptarësh këtu, të mungon përditshmëria, Tirana, të dëgjosh gjuhën tënde gjithandej.

Talenti yt në muzikë është i trashëguar? A është dikush në familjen tënde që merret me muzikë?

Xhaxhai im është tenor, Paulin Trieshi. Edhe ai është në Amërike. Unë them gjithmonë që jam 1/3 e talentit të tij. Ia lë kreditet atij për pasionin tim. Prindërit e mi dhe motra ime e madhe janë ata që ua prezentoj këngët dhe motra është ajo që më ka shoqëruar edhe në kompeticione. 

Nëse nuk do merreshe më me muzikë, çfarë do të bëje?

Unë studimet i kam kryer për marketing. Një pjesë të madhe të kohës e zë puna ime. Edhe sot është paralelisht me një angazhim tjetër. Nuk do isha e lumtur po të mos ishte muzika pjesë e jetës sime.

Me kë do të doje të sillje një bashkëpunim?

I pari që më vjen në mendje është xhaxhai im, do ishte diçka shumë e veçantë. Unë në fakt po përgatis një bashkëpunim, por është shumë i veçantë dhe një surprizë për dikë që e dua fort dhe nuk dua ta zbuloj tani. Mund të vijë rreth fillimit ose fundit të verës.