Pavarësisht se është një dyshe jo tepër aktive në muzikë, kur publikon prurjet e reja, ParadoX di si të godasë në shenjë.
Anxhela dhe Andi, një dyshe e muzikës elektronike, sapo kanë publikuar projektin e tyre të radhës të titulluar “Rememer Me”. Edhe pse publikimet e këngëve të tyre kanë përkuar me periudhën e dimrit, në fakt ato të sjellin në mendje temperaturat e nxehta të verës, pikërisht në kohën kur na mungojnë më shumë.
Të kontaktuar nga “Top Awards”, ParadoX ka dhënë më shumë detaje për këngën e re, planet për të ardhmen si edhe për faktin se si ka ndryshuar ParadoX që nga koha e debutimit në muzikën shqiptare.
TA: Nga intervista e fundit kanë kaluar thuajse dy vite, sa ka ndryshuar ParadoX gjatë kësaj periudhe kohore?
ParadoX: Mund të themi që besojmë se kemi bërë progres nga ana muzikore, sa më shumë kohë kalon, akoma më shumë kuptojmë që po zhvillohemi dhe po nxjerrim këngë më të mira profesionalisht.
TA: Projektet tuaja muzikore duhet thënë që janë të rralla, kujtojmë se i fundit është bashkëpunimi me Bojken Lako, “Home”, mendoni se duhet të jeni më aktiv në muzikë?
ParadoX: Dëshira është që të nxjerrim më shumë por preokupimet e tjera bëjnë që të vonohemi pak.
TA: Publikimet tuaja janë zakonisht në periudhën e dimrit, mos ndoshta “Remember Me” është një paralajmërim i netëve të nxehta?
ParadoX: Ka qënë rastësi që këngët e tjera i kanë shkuar më shumë periudhës së dimrit. Madje dhe kur e vume re, në fillim menduam që “Remember Me” të dalë si një këngë verore, por ja që e publikuam në shkurt.
TA: Me kë keni bashkëpunuar për “Remember Me”?
ParadoX: “Remember me” është një këngë e bërë vetëm nga dyshja jonë.
TA: Një stil i veçantë muzikor, si e ka pritur publiku muzikën tuaj, duke qënë se është ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë shpesh?
ParadoX: Kush e ka dëgjuar ka reaguar pozitivisht. Komenti kryesor që na është bërë është “Ua si te huaj”. Duam që kjo lloj muzike mos të tingëllojë më si e huaj por të duket si diçka që e bëjnë dhe muzikantët shqiptar.
TA: Keni menduar ndonjëherë t’i futeni muzikës komerciale?
ParadoX: Komerciale mund të bëhet edhe një nga këngët që kemi bërë deri tani nëse pëlqehet nga masa, nuk është nevoja të ndryshohet zhaneri. Synimi jonë është që ajo çfarë na pëlqen të krijojmë, të pëlqehet nga njerëzit.
TA: Cili mendoni se është një detaj që kur publiku ju dëgjon në radio, menjëherë në mendje është Paradox?
ParadoX: Tingulli, melodia dhe thjeshtësia e këngëve.
TA: Planet tuaja më të afërta?
ParadoX: Planet më të afërta janë publikimi i këngës së radhës sa më shpejt dhe të fillojmë të luajmë “live” sa më shpesh.