I ftuar në studion e “Wake Up” ka qenë kantautari Andos, i cili së fundmi ka publikuar projektin e tij më të ri “Besoja”. Si lindi kjo këngë?

Kënga ka rreth 13 vite që është kompozuar, se unë kam një arkivë të këngëve. Pastaj kalojnë disa vite dhe shkoj i seleksionoj, i nxjerr, i vendos ato puzzle avash-avash. Jam shumë detajist, ndoshta është disavantazh ky, sepse marr goxha kohë që ta realizoj një këngë. Kujdesem për gjithçka, për orestrimin, inçizimin, kam një studio dhe i bëj të gjitha vetë. Tekstin e kam shkruar me motrën e vogël, ka shumë vite që është bërë. Kadishen e kam pasur në shumicën e teksteve të këngëve. Unë nxjerr njëherë titullin e këngës, gjithçka fillon nga titulli, pastaj fjalët. Kadishe më ka përkrahur gjithmonë, këndon bukur, e kam dhe back vokaliste.

Si ka ardhur klipi që është realizuar në Islandë?

Ne kemi shumë vende të bukura, por ideja e realizimit të klipit në Islandë ka ardhur nga filmi “Prometheus” nga regjisori Ridley Scott. Introja e filmit është në akullnajat e Islandës dhe ajo më goditi. I kisha thënë vetes që një klip do ta realizoja në Islandë. Kemi qenë 8 ditë në Islandë, një natë kemi fjetur tek miku im Dukagjini dhe pastaj për 7 ditë e kemi bërë qark Islandën. Kur shihnim një lokacion me makinë, gjithçka ishte si për film.

Sa e vështirë është sot që të bësh muzikë të mirë?

Është bërë shumë e vështirë. Ne të gjithë e dimë që tregu ka ndryshuar shumë tani dhe muzika nuk mjafton më. Prej kësaj muzike që bëj unë, nuk jeton dot, por unë për këtë punoj dhe bëj gjëra të tjera, merrem me disa investime dhe kam punuar në emisione jashtë. Vetëm për faktin që nuk mund të bëj kompromis për muzikën që bëj, e kam shumë personale. Dua të lë një gjurmë që për të ardhmen dhe fënijët e mi, dua që të krenohen me gjërat që bëj. Ndoshta është një armik i imi ky, sepse ndoshta do të kisha më shumë sukses dhe më shumë ndjekës, por nuk bëj kompromis për muzikën. Është investim, por dhe impenjim shpirtëror, sepse unë punoj me muaj në një këngë dhe e shijoj shumë. Uroj që të mbijetojnë këto lloj këngësh dhe mediat të përkrahin artistët që bëjnë muzikë larg mainstream-it.