Zana Tahiri është një artiste e re, një vajzë me ambicie dhe synime të mëdha për të ardhmen.
Ajo vjen nga një familje artistësh, ku pasioni për artin dhe muzikën ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës së saj. Në këtë moshë, po hap dyert e një bote të re në muzikë, me ëndrra të mëdha dhe përkushtim për t’u bërë zëri i brezit të saj. Kontakti i saj i parë me muzikën ka nisur që në moshën 6-vjeçare, kur realizoi këngën e saj të parë. Pas një pauze, ajo vendosi se ky është momenti i duhur për t’u rikthyer dhe për të shprehur talentin e saj në një nivel më profesional. “Malli” është projekti i saj i parë profesional, i realizuar në bashkëpunim me artistin Rilind Alimani. Përmes muzikës së saj, Zana synon të shprehë emocione të vërteta dhe të krijojë një lidhje të sinqertë me publikun, duke sjellë një stil të veçantë dhe autentik. Ajo shpreson që publiku ta mirëpresë dhe ta njohë si një artiste të re në ngritje, ndërsa mezi pret të ndajë muzikën e saj me botën. Qëllimi i saj është të lërë gjurmë në skenën muzikore dhe të ndërtojë një karrierë të qëndrueshme në këtë rrugëtim artistik. E kontaktuar nga Top Awards, Zana është shprehur më shumë për pasionin e saj për muzikën:
“Artisti i mirënjohur shqiptar, babai im Labinot Tahiri, që në moshë të vogël më ka sugjeruar t’i hyj muzikës, duke besuar gjithmonë në talentin tim. Përkrahjen më të madhe e kam nga të dy prindërit e mi, të cilët kanë qenë shtylla ime kryesore në këtë rrugëtim. Si model për ndërtimin e karrierës kam babain tim, por edhe artistë të njohur si Elvana Gjata, Alban Skënderaj dhe shumë emra të tjerë të skenës shqiptare dhe botërore. Nuk mund të harroj gjithashtu kompozitorin dhe tekstshkruesin Avni Qahili, i cili më mundësoi këngën time të parë në moshën 6-vjeçare, me titull “Shqipëri, të kemi babë e nanë”.