Kjo javë e re solli me vete dhe katër artistë të rinj që iu bashkuan Top Awards. Ja kush janë ata…
Arbër Musa, apo siç njihet me emrin e artit AM, i lindur më 26 janar 1993 në Prishtinë, i rritur në Ferizaj dhe sot me bazë në Zvicër, është një nga emrat më premtues të skenës moderne shqiptare. Muzika e tij mishëron ndërthurjen e traditës me inovacionin, duke e kthyer nostalgjinë në tinguj bashkëkohorë që flasin njëkohësisht me zemrën dhe me kohën. Si producent, beatmaker dhe kantautor, Arbëri ka spikatur duke transformuar klasikët shqiptarë në krijime që frymojnë freski dhe emocione të reja. Projektet e tij të njohura përfshijnë: “Malli Zemrës” (2023), “Moj Nuse” (2023), hitin viral “Lulija” (2024) dhe së fundmi “Veren Tjetër” (2025), që e konsolidoi edhe më shumë si një zë unik të muzikës bashkëkohore. Stili i tij i veçantë, tekstet e ndjera dhe beats që kapin shpirtin e publikut e kanë bërë Arbër Musën një artist të fuqishëm, emocional dhe të pandryshueshëm në identitetin e tij muzikor.
Apollo Producer (Jurgen Tufa) është producent dhe kompozitor nga Tirana. Me mbi 200 projekte muzikore në katalog, ai ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme duke bashkëpunuar me disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare dhe rajonale, përfshirë Kida, Ronela Hajati, Fifi, Anxhelo Koci, Don Xhoni, Enca, Loredana dhe shumë të tjerë. Rrugëtimi i tij profesional nisi në Max Production (2016–2019), u konsolidua në Mixey Music (2019–2022) dhe që prej vitit 2022 ai vepron si producent dhe artist i pavarur. Në vitin 2018, Apollo ishte producent i këngës “Psikopatja Jote” të Fifit & MC Kreshës, e cila konkuroi në Kënga Magjike dhe u rendit në vendin e tretë, duke u bërë një nga projektet më të bujshme të atij edicioni.
Lirian Kaçi, apo siç njihet me emrin e tij të artiti si Lurro, ka lindur në vitin 1991 në qytetin e Gjakovës. Bashkëpunimet e tij të para kanë qenë me Dog, Real 1. Si producent ose beatmaker, Lyrical Son, Ergenin e grupit NR, Dafina Zeqiri, Tuna, Seven Saraqi, janë disa nga emrat me të cilët ka bashkëpunuar në muzikë. Lurro po ashtu ka ushtruar profesionin e regjisorit në Radio Televizionin e Kosovës dhe po ashtu me profesion është regjisor filmi.
UKAY është një DJ dhe producent, pasioni i të cilit për të zbuluar dhe ndarë muzikën e tij me të tjerët, filloi që herët. Ai u shndërrua shpejt në një ndër artistët më të preferuar që sillte gjithnjë tinguj të rinj, gjë që e ngriti dhe në karrierën e tij si DJ. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, ai luajti në klube në Zyrih dhe Luzern, duke mahnitur turmat e njerëzve me sete energjike që përzienin zhanre të ndryshëm muzikor. Kur pandemia ndaloi eventet, UKAY mësoi vetë prodhimin e muzikës përmes YouTube, duke zhvilluar një tingull unik. Frymëzimi i hershëm erdhi nga shkathtësia e Justin Bieber, të cilën UKAY e kanalizon në prodhimet e tij. Në skenën house, UKAY mbështetet në ritmet e San Pacho, energjia e FISHER, thellësia emocionale e Avicii dhe atmosfera e HUGEL që kënaq audiencë . Stili i tij është i gjallë, energjik dhe plot me ritme që jehojnë me dëgjuesit. Në vitin 2024, UKAY arriti një moment historik me një bashkëpunim me Marshmello, duke e lançuar atë në skenën globale dhe duke hapur dyer të reja karriere.