Ergita Bahja është një nga artistet e reja të “The Top List”, e cila është bërë pjesë e Top Awards me bashkëpunimin me Shpat Kasapin, “M’thirr”. Le të njihemi pak më shumë me të…
Ergita është një artiste e re dhe e talentuar në tregun muzikor shqiptar. Dalja e saj e parë në skenë është në moshën 5 vjeç e gjysmë. Që nga ai moment e deri tani, muzika është pjesë e pa ndarë e saj. Krahas muzikës, Ergita ka pasion edhe pikturën. Që në fëmijëri ajo ka kënduar në skenat e qyteteve të ndryshme brenda vendit si “Argjiro Fest” – Gjirokastër, “Bilbilat e Adriatikut” – Durrës, “Jehona e Kaltërsisë” – Tiranë, etj. Në vitin 2023 ka qenë anëtare e jurisë në talent show “Mam, po ti” në Tv Klan.
“Përgjithmonë” ishte kënga e parë e Ergitës, e cila rezultoi dhe suksesi i saj i parë duke u bërë virale në rrjetet sociale TikTok, Instagram, etj, me muzikë dhe produksion të Gent Myftaraj. Që nga gushti 2023, Ergita ka lidhur kontratë dhe është bërë pjesë e label-it Gmaj7 Production dhe që nga ai moment Ergita numëron bashkëpunime me artistë të njohur të showbizit shqiptar, si Vedat Ademi, Eranda Libohova, Florian Tufallari, Shpat Kasapi etj.
Në 14 shkurt 2024 prezanton për herë të parë EP (mini album) me titull “Për Dashninë”. Prej gati një viti edhe pse nje artiste e re, numeron disa suksese. Ndër projektet e saj përmendim “Një jetë”, “Për Dashninë”, “Vogëlushe”, “Djali jem” dhe “M’thirr”, e cila është edhe kënga që e bëri pjesë për herë të parë në Top Awards.