I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë Jonid Gjoka, një artist i ri i skenës muzikore por me një talent të madh. Ai ka publikuar së fundmi projektin e tij më të ri që mban titullin “Ku je” dhe që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Jonidi na ka zbuluar më shumë si erdhi kjo këngë, por dhe për hapat e tij të ardhshëm…

Si erdhi kënga “Ku je”?

Unë isha pjesë e një konkursi që organizonte Bashkia e Tiranës dhe vendi i parë do të fitonte një këngë dhe një videoklip falas. Dhe kështu erdhi “Ku je”. Tekstin e ka bërë Alban Kondi, flet për një histori të dhimbshme dashurie ku unë kam tradhtuar të dashurën time dhe ajo nuk më fal e i them “Ku je”…

E mban mend kur ke dalë për herë të parë në publik dhe çfarë kënge ke kënduar?

Kam dalë vjet në një konkurs me këngën “I will survive” të Gloria Gaynor. Disa këngë të tjera që i mbaj mend janë nga Orinda Huta, që e kam pasur qejf që i vogël.

Çfarë do të bësh në të ardhmen?

Për momentin jam fokusuar tek muzika dhe nuk e kam menduar shumë thellë. Ende nuk e kam konkretizuar se për çfarë do të vazhdoj shkollën e lartë.

Do të vish së shpejti me një projekt të ri?

Në 2025 do ketë një projekt mes meje dhe një shokut tim, një reper. Kaq, të tjerat surprizë.

Nëse do të bëjë një bashkëpunim, cilin nga artistët do të zgjidhje?

Rina Balajn e adhuroj, vdes pas zërit të saj dhe shkruan tekste fantastike. Po ashtu dhe Noizy-n, sepse e kam shumë qejf.

Nëse publiku do të mbante mend një gjë nga ti, çfarë do të doje që të ishte ajo?

Do doja të më mbanin mend për muzikën e bukur që unë dua të bëj dhe mua si Jonid.

Çfarë rryme nuk do të doje të këndoje asnjëherë?

Dëshirën që të eksperimentoj unë e kam, që të gjej veten. Ndiej që nuk e kam gjetur veten plotësisht. Një rrymë që nuk do të bëja është ky repi që po bëhet sot nga artistët e rinj.