E ftuar në ‘Pardon My French’ në Top Albania Radio ishte këngëtarja e njohur Diona Fona. Këngët e saj kanë rezultuar tepër të pëlqyera nga publiku. Gjatë vitit të kaluar, përveç suksesit si këngëtare, ajo na ka habitur të gjithë duke u bërë imazh i markës ‘Fenty Beauty’, linjës kozmetike të divës së muzikës pop, Rihanna.

E pas një pauze mjaft të gjatë me intervista dhe dy javë pas lansimit të ‘Mama’, bukuroshja jep një intervistë ekskluzive për TAR.

Fillimisht, ajo na tregoi se si nisi karriera e saj në tregun muzikor shqiptar.

Isha në Londër duke kryer studimet në fakultet dhe më duhej të kthehesha për shkak të pandemisë në Prishtinë. Ishte vërtet një sfidë, por besoj që ishte një sfidë që ia ka vlejtur. E gjeta një pjesë të vetes në muzikën shqiptare.

Por, sa e vështirë ka qenë për Dionën katapultimi në tregun muzikor shqiptar, një treg i vogël por me mjaft artistë. Sa mbështetje ka pasur bukuroshja nga kolegët e saj?

Për një artist/e të re është shumë fillim i vështirë, tregu është shumë i vështirë, ka sfida. Unë i kam raportet mirë me gjithë kolegët po mendoj se suporti mund të jetë më i mirë. 

E për sa i përket bashkëpunimeve që janë bërë trend së fundmi, do të presim diçka nga Diona me ndonjë artist të njohur?

Duetet kam qejf t’i përzgjedh natyrshëm. Nuk po zbuloj, nuk po zbuloj. Nuk po them pa u përfunduar e gjitha. Ka prej Shqipërisë, është këngëtar.

Diona gjithashtu na zbuloi dhe një dëshirë të saj ‘të fshehur’ lidhur këtë herë jo me muzikën, por me filmin.

Me rëndësi është të punoj për ëndrrat e mia që i kam shumë ‘big’. E kam menduar veten dhe shumë në film, ka për të pasur besoj dhe diçka atje prej meje.

Dhe për herë të parë, Diona zbuloi të vërtetën lidhur me marrëdhënien e saj me ish- konkurrentin e ‘Për’Puthen’ që asokohe u dyshua për një lidhje mes dyshes gjatë kohës që ai ishte duke u njohur me Jasmin Kadriun. Dyshimet lindën pas pjesëmarrjes së Andit si protagonist në videoklipin e këngëtares.

Nuk është ashtu si duket. Krijuam miqësi të mirë me Andin. Nuk jam marrë shumë me lajmet, nuk merrem me thashetheme, me skandale. Është shumë e lehtë të gjykosh vetëm prej karriges duke parë, po nuk është ashtu si duket.

Diona gjithashtu na zbuloi nëse është në një lidhje dashurie.

Jo nuk jam në një lidhje. Jeta ime private sado që përpiqem ta mbaj private, prapë del në pah.

Por, çfarë mendon bukuroshja se e diferencon atë nga vajzat e tjera të showbiz-it?

Kam pasur qejf të ndjek stilin tim, nuk kam dashur të ndryshoj shumë edhe pse është një treg që ka një stil të veçantë pak (qesh). Kam dashur të sjell pak stilin prej Londrës. Gjithmonë e kam ndjekur atë dhe nuk e kam gënjyer veten, t’i hyj muzikës ashtu si duan të tjerët.