Ergita Bahja dhe Shpat Kasapi kanë publikuar vetëm pak ditë më parë bashkëpunimin e tyre të titulluar “M’thirr”, që po korr shumë sukses në “The Top List” dhe jo vetëm. Momentalisht projekti i tyre pozicionohet në vend të katërt të listës së 100 këngëve më të mira moderne shqiptare të javës. Ergita dhe Shpati kanë qenë mëngjesin e sotëm të ftuar në studion e “Wake Up” për të na folur më shumë lidhur me këtë projekt por dhe planet e tyre të ardhshme…
Si lindi bashkëpunimi “M’thirr”? Ergita përgjigjet:
Kënga ka qenë planifikuar si single, por 5 ditë përpara xhirimit Genti Myftaraj më nis një demo në Whatsapp dhe dëgjoj zërin e Shpatit. Të nesërmen folëm për detejat dhe kështu lindi.
Ergita ka bërë disa bashkëpunime të tjera si me Vedat Ademin dhe Eranda Libohovën, për të cilat shprehet:
Kanë qenë në kushte të ndryshme nga njëra-tjetra, me Vedatin nuk kam një eksperiencë të mirëfilltë xhirmi sepse ai ishte në Amerikë kurse unë këtu. Ndërsa me Erandën ishim mes gocash dhe ishte shumë qejf.
Nga ana tjetër, Shpati është zhvendosur prej pak kohësh në Tiranë me familjen e tij. Ai tregon:
E kisha vendosur që do të vija në Tiranë, më pëlqen shumë, jam prej 8 muajsh këtu. Jemi përshtatur.
Si është Shpati si baba?
Jam shumë i përkushtuar tek djali. Nuk jam fare i egër. I këndoj ninulla, ndonjëherë edhe këngë shqip dhe anglisht.
Si i ka lindur Ergitës kjo marrëdhënie kaq e ngushtë me muzikën, duke qenë se vjen nga një familje muzikantësh?
Në një moshë 5 vjeçe e gjysmë është e vogël për ta kuptuar rëndësinë e saj tek unë. Por me kalimin e kohës kuptova që nuk bëja dot pa të. Është diçka që më përfaqëson mua si Ergita. Dua të jap muzikën e shpirtit, dua t’u fitoj zemrat njerëzve. Kam zgjedhur të punoj fort.
Çfarë këshille mund t’i jepte Shpati Ergitës?
Duhet të eksperimentojë, muzika kërkon eksperimentim. Por ajo ka vullnetin e lirë, shumë këngëtarë nuk e kanë. Duhet të jesh një talent i madh për të shpërthyer jashtë rrjeteve sociale.
Nga ana tjetër Shpat Kasapi na ka treguar planet e tij të ardhshme lidhur me muzikën:
Më mungonte Shqipëria. Do të ketë një koncert recital, në nëntor ose dhjetor do të filloj të punoj për këtë.
Po ashtu dhe Ergita zbuloi planet e saj:
Jemi duke punuar për EP-n e dytë. Puna ka filluar. Do të ketë surpriza, nuk mund të flas më tepër sepse jemi ende në fillim të punës.