”Gjynah”, bashkëpunimi i Stines me Grazia dhe Erion rezultoi një sukses i padiskutueshëm duke hyrë këtë javë në “The Top List”. Grazia dhe Erion debutojnë kështu në Top Awards. Edhe pse emri i Grazias nuk është i padëgjuar për publikun, le të njihemi edhe më shumë me të, e cila ka hyrë për herë të parë në mesin e artistëve të Top Awards…
Graciela Pashaj, apo siç njihet me emrin e saj të artit Grazia, ka lindur në Tiranë më 30 korrik 1991 dhe ka përfunduar studimet për kanto, të cilat e kanë ndihmuar të ndërtojë një bazë të fortë në rrugëtimin e saj muzikor. Dalja e saj e parë në skenë ka qenë në vitin 2009 në Top Fest 6 me këngën “Ajo është me ty”, të kompozuar nga Alfred Kaçinari.
Në vitet 2010–2011 Grazia ka qenë pjesë e “Top Girls” në E Diell, duke u bërë më e njohur për publikun. Në vitin 2011 ka marrë pjesë në Kënga Magjike, ku u kualifikua deri në gjysmëfinale. Në 2012 Grazia konkurron sërish në Top Fest me këngën “My Love”, në bashkëpunim me Stine. Që prej vitit 2009 është pjesë e Stine Records, ku së bashku me Stinen merren me krijimin e projekteve muzikore për të dhe për shumë artistë të tjerë. Në vitin 2024 ka marrë pjesë sërish në Kënga Magjike me baladën “Jeto i lumtur”, e cila gjithashtu u kualifikua deri në gjysmëfinale.
Në maj të vitit 2024 u vlerësua me çmimin “Videoklipi më i mirë R&B” në “Netët e Klipit Shqiptar”, me këngën “Lamborghini”. Gjatë viteve ka qenë aktive në mbrëmje muzikore dhe show live, brenda dhe jashtë vendit, si dhe e angazhuar në realizimin e këngëve dhe videoklipeve. Paralelisht me muzikën, së bashku me Stinen janë bashkëthemelues dhe drejtues të kompanisë Estia Film, ku merren me krijimin dhe organizimin e videoklipeve, duke sjellë ide kreative dhe projekte moderne në produksionin vizual. Ndër bashkëpunimet e saj më të rëndësishme me Stinen janë “Bachata Lovers”, bashkëpunimi i tyre i parë si çift artistik, si dhe këngët “Finalizoje” dhe “Gjynah”.