Pas eksperiencës së saj në “Big Brother Albania 4”, Egli Tako është fokusuar më shumë se kurrë tek karriera e saj artistike. Përveç projektit të saj solo, “Jetë”, këngëtarja po ashtu ka ardhur dhe me disa bashkëpunime me emra mjaft të njohur.
Fillimisht me Fifin dhe Dj Gimi O në “Ku je nis & Shuj Shuj”, më pas me Sergio në “Baby”, por jo vetëm kaq. Bashkëpunimi i fundit ishte goxha goditës dhe shumë surprizues.
Egli Tako tashmë ka ardhur së bashku me Lumi B dhe Ghetto Geasy në “O sa mirë”. Kënga ka arritur që të hyjë në klasifikimin e javës të “The Top List”, madje duke rrëmbyer kështu edhe kreun. Nga ana tjetër, Egli pozicionohet me dy projekte në Top 5, përveç “O sa mirë” që është në vend të parë, po ashtu “Jetë” renditet në vend të dytë.
Duket se thashethemet e publikut nuk e kanë ndaluar aspak Eglin që të fokusohet tek karriera e saj. Kujtojmë këtu marrëdhënien e shumëpërfolur dhe të komplikuar me Gjestin. Por nga ana tjetër, Egli është bërë pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale pas performancës së saj në një koncert të fundit, ku interpretoi këngën ikonike “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës. Paraqitja e saj u komentua gjerësisht, por jo për arsye pozitive.
Shumë përdorues në rrjet dhe të pranishëm në koncert e kritikuan ashpër jo vetëm për veshjen, që sipas tyre nuk ishte e përshtatshme për një këngë me ndjeshmëri të lartë kombëtare, por edhe për mënyrën e interpretimit. Akuza të shumta u hodhën për “playback”, me pretendimin se Egli nuk këndoi live, por vetëm lëvizte buzët në skenë. Këto komente u shoqëruan me ironi dhe zhgënjim, veçanërisht për faktin se bëhej fjalë për një këngë të ndjerë dhe të rëndësishme për historinë shqiptare. Përballë gjithë kësaj zhurme, Egli Tako zgjodhi të mos japë asnjë koment publik apo përgjigje direkte.