Mateus Frroku sjell “variantin shqip” të “Ai Se Eu Te Pego” dhe në fakt nuk bëhet fjalë për një “kopjim” të kësaj kënge por fama e “M’ka Bo Like” mund të krahasohet lehtësisht me bumin që ajo këngë ka bërë në atë kohë.
Ka thuajse 1 javë që është publikuar në tregun muzikor por menjëherë është bërë qendra e vëmendjes pasi ndryshe nga këngët e zakonshme që jemi mësuar të dëgjojmë, Mateus i ka kushtuar një këngë fenomenit më të përfolur të momentit, “rrjeteve sociale”.
Në një intervistë të dhënë për Top Awards, këngëtari i talentuar ka zbuluar arsyet se përse zgjodhi të vinte me këtë këngë kaq të veçantë.
TA: Pse zgjodhet pikërisht një këngë dedikuar rrjeteve sociale? Si lindi kjo ide?
Mateus Frroku: Kur po ideoja këtë projekt kisha dëshirë të ishte një material që pak a shumë përfshinte shumë njerëz në thelbin e saj. Për fat të keq sot komunikimi virtual është bërë i pashmangshëm aq sa po humb diskutimi apo takimet reale. Ne jemi cdo ditë e më shumë në komunikim virtual. Edhe kur jemi në tavolina me miq në një pjesë të madhe të kohës jemi duke parë apo diskutuar dicka nëpërmjet telefonit. Kështu erdhi dhe kënga “M’ka Bo Like”.
TA: Me kë ke bashkëpunuar për të sjellë këtë projekt të ri muzikor?
Mateus Frroku: Bashkëpuntori im në këtë projekt është Kledi Bahiti dhe studio e produksionit “Threedots”. Në këtë material muzikor kanë marrë pjesë shumë muzikantë që i kanë dhënë jetë këngës duke performuar “live” në studio. Ka qënë një bashkëpunim i madh dhe me shumë kolegë që luanin në krijimin e Kledi Bahitit. Tekstin e këngës e kemi bërë pak a shumë unë dhe Kledi, me ndonjë përjashtim të vogël kur dikush nga djemtë e studios jepte një ide që qëndronte. (Qesh)
TA: Cili ka qënë keqkuptimi më i madh qe ke patur gjatë një komunikimi në rrjetet sociale?
Mateus: Keqkuptim?! Nuk e di… Pak a shumë si në këngë… Nëse dikush bën “like” në profilin tim jo detyrimisht kam treguar indirekt se “po të gjuaj” apo dhe e kundërta. Unë jo çdo “like” që marrë në “FB” nuk e konsideroj të tillë nga një vajzë. Por shpesh ka ndodhur që pas një “like” ka filluar një bisedë në “chat” me “pikëpamje të larta shoqërore dhe me qëllime serioze njerëzore. (Qesh)
TA: Fama e kësaj kënge ka pushtuar menjëherë tregun shqiptar, ku me bindje mund të themi që është një “Ai Se Eu Te Pego” versioni shqiptar, për shkak të suksesit, si ndiheni për këtë?
Mateus: Eshtë heret akoma të flasim për famë. Sigurisht që mua më bëhet qejfi që njerëzit e kanë suportuar dhe pëlqyer këtë material. Ndihem shumë i lumtur. Në fund të fundit kjo është adrenalina jonë e nevojshme. I jam falenderues gjithkujt që suporton muzikën time. Sigurisht që unë jam munduar të bëj më të mirën time.
TA: Eshtë java e parë që futet në “The Top List”, një përshëndetje për fansat që të kanë bërë pjesë e tij…
Mateus: Ishte surprizë shumë e bukur e një mëngjesi të lexoja një sms që më bënte me dije se isha në Top Listen e Top Awards. Realisht u ndjeva shumë mirë. Për gjithkënd jam mirënjohës dhe falenderues. Gjithëkush ndihet mirë kur vlerësohet për punën që bën. Kështu dhe unë. Ju përshëndes. Mateusi