“Të kam në mendje” është projekti i artistes Malda Susuri mbi sfidat e shëndetit mendor. Plot 250 personazhe të njohur janë bërë pjesë e këtij projekti duke rrëfyer emocionet e tyre. E ftuar në studion e “Wake Up”, artistja ka folur më shumë për këtë iniciativë, por dhe këngët e albumit të saj…
Të gjithë që i kam ftuar, i kam ftuar të vijnë në një fotosesion për të cilin e ngremë zërin të gjithë bashkë rreth shëndetit mendor. Është ‘okay’ për të mos qenë ‘okay’. Dhë është ‘okay’ që të flasim rreth shëndetit mendor por dhe nëse kërkojmë ndihmë profesionale. Kjo puna e fotosesionit ka qenë që t’i bënim njerëzit të ndjenin një histori timen personale, por dhe të shihnim se si e reflektojnë. Kushdo që ka ardhur i kam treguar rrëfimin tim dhe ata përmes ndjenjës janë fotografuar dhe bashkarisht kemi përzgjedhur foton në fund.
E bukura e gjithë këtij instalacioni, është se e kemi bërë Kosovën dhe Shqipërinë bashkë, e para. E dyta, të flasim hapur rreth shëndetit mendor. Dhe e treta, që çdo person që ka ardhur në foto, ka pranuar të dalë i brishtë dhe në emocionin e tij të vërtetë. Ne po shohim gjithë kohën të rinjtë që duan të tregojnë diçka që ata nuk janë dhe instalacioni “Të kam në mendje”, ka bërë të tregojë një realitet që në fakt ne jemi.
Malda ka rrëfyer se ky projekt ka disa faza:
Projekti ka 6 faza, 4 kanë qenë të planifikuara por dita-ditës po i shtohen. Shpresoj që ka për të pasur jetëgjatësi dhe të vazjdojë projekti “Të kam në mendje”.
Artistja ka ardhur dhe më një EP së fundmi me katër këngë, për të cilat shprehet:
“Ti s’më sheh kur qaj” është dedikim, diçka që kohët e fundit po zbehet në shoqërinë tonë, sepse mundohemi të shitemi si dikush tjetër, nuk lejojmë dikë tjetër që të na shohë keq apo që po vuajmë për dikë. Kjo vjen dhe për shkak të mentalitetit dhe edukimit tonë. Besoj që ka ardhur koha që edhe të mos jemi të fortë, sepse jemi njerëz dhe duhet t’i përjetojmë të gjitha momentet ashtu siç duhen përjetuar. Përmes EP jemi munduar të japim shumë mesazhe që na rrethojnë çdo ditë. Tek “Grindje” është ajo jeta artificiale që ne bëjmë, gjatë ditës jemi shumë të mirë por kur shkojmë në shtëpi heqim atë maskën dhe fillon dhuna në familje, femicidi apo vetëvrasja. Tek klipi “E pamundur” është një skenë brenda në spital ku një person i flet tërë kohën dikujt dhe në fund është vetë ai person. Kjo tregon se për shëndetin mendor, nuk mundet askush tjetër të kujdeset përveç teje. “Të kam në mendje” tregon që ne e humbim një person shumë shpesh dhe nuk ia dimë vlerën. Edhe tek “Ti s’më sheh kur qaj” është kur e humbim një person por jeta vazhdon.