Një këngë emocionale nga një artiste shumë e talentuar i bashkohet këtë javë “The Top List”. Po flasim për Krusitën e cila ka publikuar pak ditë më parë projektin “Lamtumir me vaj”.
Me këtë këngë artistja bëhet për herë të parë pjesë e Top Awards. Projekti, që është pritur mjaft mirë nga publiku, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje falë ndjeshmërisë që transmeton dhe interpretimit emocional të artistes. “Lamtumir me Vaj” trajton temën e ndarjes dhe forcës për të ecur përpara, një mesazh që ka prekur dëgjuesit. Melodia e qetë dhe teksti i sinqertë e bëjnë këngën lehtësisht të identifikueshme, duke e kthyer atë në një nga debutimet më interesante të momentit.
Suksesi i këngës vjen në një periudhë mjaft intensive për Krusitën, e cila aktualisht po përjeton një eksperiencë krejtësisht ndryshe si banore në “Big Brother VIP Albania 5”. Prania e saj në formatin televiziv ka rritur dukshëm interesin e publikut, duke ndihmuar që muzika e saj të arrijë te një audiencë edhe më e gjerë. Me këtë këngë, Krusita dëshmon se ka ardhur për të lënë gjurmë në skenën muzikore shqiptare.