Muzika nuk është gjithmonë vetëm ritëm, melodi dhe emocione që na shoqërojnë në përditshmëri. Ndonjëherë ajo bëhet zë i një realiteti të dhimbshëm, një mesazh që shkon përtej artit dhe një thirrje për të reflektuar mbi plagët që shoqëria shpesh zgjedh t’i heshtë.
Këtë herë, Kristi Lamaj vjen ndryshe. I njohur për interpretimet e tij në muzikën popullore, artisti sjell projektin e ri me titull “A t’vlen burrnia”, një këngë që nuk kërkon thjesht të dëgjohet, por të kuptohet. Një projekt me një tematikë të fortë, emocionale dhe thellësisht njerëzore, që prek një nga problematikat më të rënda të shoqërisë, dhunën ndaj grave.
Përmes kësaj kënge, Kristi Lamaj zgjedh të trajtojë një temë që nuk mund të mbetet vetëm në vargje apo nota muzikore. Ai sjell një reflektim mbi kufirin e frikshëm mes dashurisë së pretenduar dhe dëshirës për të zotëruar tjetrin, mbi dhunën që fshihet pas maskës së dashurisë dhe mbi pasojat tragjike të vendimeve që mund të shkatërrojnë jetë.
Mesazhi që përcjell artisti është i fortë dhe i qartë, dashuria nuk është pronësi, kontroll apo dhunë. Dhe burrëria nuk matet me pushtetin mbi një grua, por me respektin për të.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që lë pas kjo këngë… A të vlen burrnia, kur në vend të dashurisë zgjedh dhunën?