Këngëtarja e njohur, Krusita, ka qenë të shtunën e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ku është emocionuar nga një letër që i kishte shkruar e ëma.
“Dashuria ime Krusita, e kam filluar kështu këtë letër sepse në fakt unë kështu të thërras çdo ditë të jetës. Kur linde ti dashuri, unë dhe babi u ndjemë tashmë të realizuar sepse kishim sjellë në jetë dy yje, vëllain tënd dhe më pas ty. Ti dashuri na e mbushe shtëpinë edhe me më shumë jetë, si një engjëll i vogël unë afrohesha drejt teje pa u ndalur edhe të prekja duart e tua të njoma, e të këndoja ato këngët e mia, ndërsa ti filloje të belbëzoje. Të gjitha këto më jepnin edhe më shumë jetë. Fjalët e tua të para, buzëqeshja që na e jepje çdo ditë, na e bënë jetën më të lumtur, mua, babit dhe vëllait.
Ndërkohë, ish-banorja e edicionit të pestë të “Big Brother VIP” u përlot nga kjo letër. E ashtu me lot në sy, Krusita e falënderoi mamin për gjithë mbështetjen që i jep në çdo hap të jetës së saj.
“Kisha vendosur që nuk do të qaja në këtë emision, e di që të gjithë që vijnë qajnë. Po duke qenë se unë dhe mami kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëra-tjetrën. Mami im është natyrë e ftohtë, kur e shpreh dashurinë e shpreh me fjalë ‘dashuria ime, jeta ime’, por asnjëherë kaq gjatë. Që mami të më shkruajnë mua kaq shumë gjëra, për natyrën pak të akullt që e ka, ndoshta e kam marrë nga ajo këtë gjë, ishte shumë emocionuese. Mami të dua shumë, je më e mira. Faleminderit që më mbështet në çdo hap të jetës sime. Edhe babin mos ta harrojmë”, tha këngëtarja.