Së fundmi, i ftuar në studion e “Lancio” ka qenë artisti shumë i talentuar Killua. Ai ka zbuluar më shumë mbi hitin e tij të ri “Bagëti e Bujqësi”, por jo vetëm. Killua na ka treguar më shumë edhe për kuptimin e emrit të tij të artit…
Është alteregoja që unë kam ndërtuar ku personazhi ‘Killua’ në vetvete më vret anonimitetin që unë dua ta kem dhe e kam vendosur në mënyrë të tillë. Gjithashtu është edhe një anime që më pëlqen, një personazh me emrin Killua.
Cilat ishin pritshmëritë e tij për këngën? Për më tepër na rrëfen vetë artisti.
Nuk e kemi pritur kaq mirë të them të drejtën, nuk është se nuk po ecën por as nuk është se është ndonjë ‘boom’ i madh por, për shkak të vështirësisë që ka kënga është impenjative, teksti, figurat letrare, krahasimi me Naimin, rilindja etj…por do përshtatemi me ata që na dëgjojnë.
Por nga i erdhi frymëzimi për këngën?
Për shkak të produkteve në treg që janë pothuajse të njejta, u mundova t’i jap dëgjuesit një lloj ”pjate” tjetër. Ne po presim si studio dhe të gjithë njerëzit që kanë punuar për këtë produkt që të sjellim diçka ndryshe.
Çfarë është suksesi për të?
Suksesi për mua është të kisha një audiencë jo shumë të madhe por besnike dhe t’ja kaloja mirë duke bërë produkte dhe duke i shijuar bashkë me ta. Më e rëndësishmja nga të gjitha duke sjellë një gjë të re këtu që u bë vite që po na mungon.
Killua na tregon më tepër rreth albumit që do të sjellë…
Albumi që titullohet “Metamorfozë” për mua ka shumë rëndësi sepse sjell një shndërrim timin, sjell diçka të re më të sofistikuar artistikisht. Metamorfoza në të vërtetë është shndërrimi i një krimbi në një flutur. Unë jam në fazën që ka rilindur diçka e re tek unë muzikalisht.
Lidhur me vetëbesimin që ka Killua, ai rrëfen se…
Kam vetëbesim por duhet të jetë vetëbesim i bazuar në njohjen e vetvetes dhe të asaj që ti bën. Më pëlqen të thyej limite.
Është dhe një album tjetër që është gati, i cili është një fluturim drejt diçkaje të re. Një muzikant është një kopshtar, varet se si përkujdesesh për lulet e tua dhe si çelin.
Do të vendoste në një moment të caktuar t’i orientohej tregut apo dyerve në mënyra të tjera? Ja se si përgjigjet ai:
Nuk besoj se kam pasur mënyra të tjera dhe nuk besoj se do e bëja muzikën. Fakti që unë nuk kam dalë në intervista edhe pas suksesit të këngës “Te Molla”, e cila ishte një nga këngët më të luajtura në botë, tregon që nuk e paskam dashur famën aq shumë. E le produktin të dalë dhe të gjykojnë të tjerët dhe dua artin e mirë. Do doja mos të ekspozohesha pa sens.
Killua ka studiuar psikologji dhe filozofi por sa ndikon kjo tek një artist?
Të njohësh veten tënde kërkon shumë kohë dhe impenjim dhe më pas e kupton që ti nuk ndryshon shumë nga të tjerët. Dhimbjen e kemi të njëjtë thjesht ndryshon forma.
Sa po përkushtohet këngëtari për albumin e tij të dytë?
Unë e bëj sepse kam dëshirë ta bëj vetë. E bëj sepse e kam pasion, atë që kam brenda e kultivoj dhe e nxjerr. Nëse njerëzit na duan aq më mirë për ne, nëse nuk na pëlqejnë duhet të mësojmë të duam produktin tonë.
Po në lidhje me producentët që i hapin dyert artistëve, çfarë mendon Killua?
Këtu ka shtëpi produksioni që për të bërë menaxhimin e një artisti do të thotë që ka treg, të ketë shumëllojshmëri të gjërave që prodhojnë, të njohin botën artistike të tyre. Një menaxher i mirë duhet të merret me kreativitetin e tij, do para, investim dhe kohë.
A ka refuzuar Killua ndonjë kërkesë për bashkëpunim me producentë vetëm sepse ka menduar se nuk mund t’i përshtaten?
Patjetër. Kur është publikuar kënga “Te Molla” kam pasur shumë kërkesa nga shtëpi diskografike që kur jam ulur në biseda për të bashkëpunuar nuk jemi përshtatur. Nuk më kuptojnë prandaj kam probleme.
Ndërkohë projekti më i fundit i Killua, “Bagëti e Bujqësi” renditet në vend të 2-të të klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare.