I ftuar në “Live from Tirana” ishte këngëtari Auron Deva, për të folur rreth rrugëtimit të tij artistik. Ai së fundmi ka publikuar projektin e tij më të ri që mban titullin “In Silence”, që është dhe pjesë e “The Top List”.
Si lindi kënga “In Silence”?
Kënga ka lindur në një periudhë të vështirë të jetës sime, kisha probleme me shëndetin mendor dhe me ulje-ngritjet e jetës, e shfrytëzova atë periudhë që ta përcillja në artin tim. Për një artist, të shprehësh veten në art është shumë e mirë.
Cila është lidhja jote me Flaka Krelanin?
Flaka është çika e hallës sime, jam rritur me të, e kam dëgjuar të këndojë dhe i kam parë performancat e saj në festivale. Ndikimi i saj në jetën time më ka rritur shumë artistikisht.
Me çfarë po merresh aktualisht?
Me 5 këngë, por në fakt shkruaj dhe punoj në produksion çdo ditë kështu që mund të kem diku te 30. Por, për këto 5 këngë kam një plan. Po mendoj t’i vë në një album me titullin “Tales of an Impact”. Nga ky album, dëshiroj që kur ta shoh të kompletuar, të duket si një ditar dhe që njerëzit, ashtu si unë, ta gjejnë veten në të. “In Silence” do të jetë kënga e parë, por mendoj se në gusht mund të nxjerr këngën tjetër. Do ta ketë titullin “Teacher” dhe flet rreth lidhjeve shoqërore dhe dashurore. Nuk kemi pse të jemi mësuesi i dikujt, t’i mësojmë si të na duan. Gjithçka duhet të mësohet vetë dhe janë mësimet ato që unë besoj se na bëjnë njerëz të mirë ose të këqinj.
Si ishte për ty prezantimi në festivalin e muzikës RTK?
Ka qenë një eksperiencë që e kam ëndërruar shumë gjatë, ishte skenë shumë e madhe dhe kam performuar vetë, gjë që e dashuroj. Nuk kam qejf të jem statik në skenë, më pëlqen të vallëzoj dhe të këndoj në të njëjtën kohë. U përpoqa të realizoj një performancë që kur ta shoh, të ndihem krenar.
Ku e sheh veten në të ardhmen?
Nuk jam tip që e lë rrjedhën të më çojë ku do, e kam një plan 5 ose 10 vjeçar dhe e di ku dua të jem, por nuk më pëlqen ta them. Jam thjesht i lumtur që kam filluar të punoj për aty ku dua të jem. Fitimi nuk ka rëndësi, dua në radhë të parë të bëj familjen dhe kombin shqiptar krenar.